Operacioni “Filizat”/ Shfrytëzonin fëmijët e tyre të mitur për të lypur, policia ekzekuton 8 masa sigurie, baballarët pas hekurave, nënat në arrest shtëpie
Policia e Tiranës ka ekzekutuar 8 masa sigurie, 4 me burg dhe 4 arrest shtëpie për 8 persona të cilët akuzohen se shfrytëzonin fëmijët e tyre për të punuar dhe për të lypur në rrugët e kryeqytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të cilët shfrytëzojnë fëmijët, për të punuar dhe/ose për të lypur, u finalizua operacioni i koduar “Filizat”, gjatë të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë:
– “Arrest në burg”, për shtetasit Eles Brahimaj, 41 vjeç, Rakip Sinani, 35 vjeç, Mikel Rama, 35 vjeç dhe Miklovan Gogaj, 34 vjeç;
– “Arrest në shtëpi”, për shtetaset L. B., 35 vjeçe, A. M., 41 vjeçe, M. S., 35 vjeçe dhe A. Sh., 35 vjeçe.
Nga veprimet hetimore disamujore, ka rezultuar se këta shtetas, individualisht dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shfrytëzonin për të punuar kryesisht gjatë natës, si dhe për të lypur, fëmijët e tyre të moshave 9-11 vjeç, në zona të ndryshme në juridiksion të Komisariatit të Policisë Nr. 2.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




