Organizatat kërkesë palëve politike për dialog, Rama: Kur të doni dhe ku të doni, pa kushte

Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X ndaj thirrjes së një grupi organizatash të shoqërisë civile dhe mediave, të cilat u kanë kërkuar përfaqësuesve politikë dhe drejtuesve të shtetit të shmangin retorikën nxitëse dhe të krijojnë hapësirë për dialog, në një kohë kur protestat vijojnë në Tiranë.
Në reagimin e tij, Rama shprehet i gatshëm për dialog me protestuesit, duke theksuar se qeveria është e hapur për bisedime në çdo kohë dhe pa kushte. Megjithatë, kreu i qeverisë u bën thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve të protestave të distancohen nga aktet e dhunës, zjarrvënia e institucioneve dhe përfshirja e të miturve në tubime të dhunshme.
“Jepeni ju të parët shembullin e dialogut dhe për sa i takon qeverisë ne do të jemi aty. E ndërkohë distancohuni qartë nga dhuna, gurët, zjarrvënia e institucioneve, keqpërdorimi i të miturve, që të ndihmoni kësisoj edhe protestuesit paqësorë të ushtrojnë të drejtën e tyre, e cila nuk rrezikohet nga policia po nga dhunuesit që i prijnë maskaradës pseudo-studentore”, shkruan Rama.
Kryeministri thekson gjithashtu se e drejta për protestë paqësore duhet të respektohet dhe se siguria dhe dinjiteti i qytetarëve duhet të jenë prioritet.
“Dhe po, të respektojmë të gjithë bashkë të drejtën e protestës paqësore. Ta mbrojmë të gjithë bashkë jetën dhe dinjitetin e çdo personi. Asnjë jetë nuk duhet vënë në rrezik dhe asnjë lojë nuk duhet bërë me jetën e vendit. Bujrum, DIALOG. Ku të doni. Kur të doni. Pa kushte”, përfundon reagimin e tij kreu i qeverisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




