Orkestra Simfonike e RTSH, artdashësit mund ta ndjekin koncertin më 25 shtator

  • e martë, 23 shtator 2025
Orkestra Simfonike e RTSH, artdashësit mund ta ndjekin koncertin më 25 shtator

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar sjell një tjetër mbrëmje të veçantë koncertore këtë të enjte në sallën e Universitetit të Arteve.

Në qendër të programit janë dy botë të ndryshme muzikore: dramatizmi i fuqishëm i kompozitorit rus Dmitri Shostakovich dhe romantizmi i thellë i Camille Saint-Saëns.

Pjesa e parë e koncertit i kushtohet “Koncertit për Piano Nr.2 në Sol minor, op.22” të Saint-Saëns, një nga veprat më të dashura të repertorit pianistik, e cila ndërthur virtuozitetin e shkëlqyer me lirizmin poetik. Solist i mbrëmjes do të jetë pianisti Marin Gjollma, i cili, së bashku me Orkestrën Simfonike të RTSH, do të sjellin freskinë e këtij romantizmi francez.

“Kemi një program me dy kryevepra të repertorit botëror, si ai pianistik, edhe simfonik. Vepra e parë që do të luhet është koncertit nr. 2 i kompozitorit francez, një nga figurat më të shquara të romantizmit francez, por edhe botëror, Camille Saint-Saëns”, u shpreh pianisti.

Në pjesën e dytë, publiku do të përjetojë fuqinë dramatike të “Simfonisë Nr.5 në Re minor, op.47” të kompozitorit rus Shostakovich, një vepër e krijuar në vitin 1937, në kulmin e presioneve politike të epokës staliniste.

“Është një koncert shumë i bukur me një program madhështor. Simfonia e Shostakoviçit është një ndër simfonitë e tij më të famshme. E ka shkruar në një periudhë të vështirë, kur ishte edhe nërrezik për jetën”, u shpreh dirigjenti Olsi Qinami.

Për të gjithë artdashësit, koncerti do të vijë mbrëmjen e 25 shtatorit.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/