Orkestra Simfonike e RTSH, në program kompozitori francez Camille Saint-Saëns dhe Shostakovich

  • e premte, 26 shtator 2025
Orkestra Simfonike e RTSH, në program kompozitori francez Camille Saint-Saëns dhe Shostakovich

Orkestra Simfonike e RTSH dhuroi mbrëmjen e së enjtes një tjetër koncert të veçantë në sallën e Universitetit të Arteve.

Në qendër të programit u vendosën dy botë të ndryshme muzikore, dramatizmi i fuqishëm i kompozitorit rus Dmitri Shostakovich dhe romantizmi i thellë i kompozitorit francez Camille Saint-Saëns.

Pjesa e parë e mbrëmjes iu kushtua Koncertit për Piano Nr.2 në Sol minor, op.22 të Saint-Saëns, një nga veprat më të dashura të repertorit pianistik, ku virtuoziteti u ndërthur me lirizmin poetik.

Solist i mbrëmjes ishte pianisti Marin Gjollma, i cili së bashku me Orkestrën Simfonike të RTSH e nën dirigjimin e maestro Olsi Qinami sollën freskinë e këtij romantizmi francez.

Në pjesën e dytë, publiku përjetoi fuqinë dramatike të Simfonisë Nr.5 në Re minor, op.47 të Shostakovich, një vepër e krijuar në vitin 1937, në kulmin e presioneve politike të epokës staliniste.

Koncerti i mbrëmshëm përkoi gjithashtu edhe me ditëlindjen e Shostakovich, i lindur në 25 shtator 1906. Ai u konsiderua si gjeniu që guxoi të fliste përmes muzikës edhe kur fjalët ishin të rrezikshme.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/