Koncerti i Orkestrës Simfonike të RTSH – Në skenë, solistët Stefano Olivato, Laura Llozi, Jonela Golemi

  • e enjte, 2 tetor 2025
Koncerti i Orkestrës Simfonike të RTSH – Në skenë, solistët Stefano Olivato, Laura Llozi, Jonela Golemi

Mbrëmjen e 3 tetorit, Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të sjellë për publikun një tjetër mbrëmje të veçantë muzikore në sallën e Universitetit të Arteve, duke nisur nga ora 19:00.

Programi përfshin tri vepra, mes tyre dy premiera absolute: koncerti i kompozitores Elvira Muratore, “Oyaji”, për harmonikë dhe harqe, dhe simfonia “Where Eagles Fly” e kompozitorit shqiptar Lodi Luka.

Në skenë do të ngjiten solistët Stefano Olivato në harmonikë, Laura Llozi në violinë dhe Jonela Golemi në flaut, nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja.

“Një koncert shumë i veçantë! Është premierë. Për herë të parë luhet në Shqipëri. Dubël-koncert për flaut, violinë dhe orkestër simfonike nga [Bohuslav] Martinů, një kompozitor çek. Është një pjesë moderne mjaft e bukur,” tha flautistja Jonela Golemi.

“Kjo vepër që do të performojmë është shkruar në 1936-ën, neoklasike, në periudhën kur ai jetonte në Paris, kështu që ka influenca si të muzikës franceze, por edhe të muzikës folk çeke,” u shpreh violinistja Laura Llozi.

Një moment i veçantë do të jetë interpretimi i duetit për flaut dhe violinë nga kompozitori Martinů, premierë absolute në vendin tonë.

Protagoniste në këtë pjesë do të jenë Jonela Golemi dhe Laura Llozi, dy artiste të shquara, të cilat jo vetëm ndajnë skenën si kolege, por edhe jetën si pjesë e së njëjtës familje. Ky do të jetë interpretimi i tyre i parë së bashku në formë duo në skenë, një emocion i veçantë dhe për vetë artistet.

“Është një kënaqësi e veçantë, pasi luaj me Laurën, e cila është mbesa ime. Nuk paska kënaqësi më të madhe se të performojmë bashkë,” tha flautistja Golemi.

“Është emocion ndryshe, me thënë të drejtën, se jemi mësuar veç e veç. Edhe kur kemi koncerte solo, unë apo Jonela, kemi emocione për njëra-tjetrë, po tani sikur e ndajmë së bashku, edhe skenën, edhe emocioni,” u shpreh violinistja e re.

Mos e humbisni Koncertin e Orkestrës Simfonike të RTSH-së në datën 3 tetor në sallën e Universitetit të Arteve.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/