Homazh për Gjon Simonin në stinën koncertore, Orkestra Simfonike performon nën drejtimin e Eno Koços

  • e mërkurë, 22 tetor 2025
Homazh për Gjon Simonin në stinën koncertore, Orkestra Simfonike performon nën drejtimin e Eno Koços

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit hap një tjetër kapitull të veçantë të Stinës Koncertore, duke i kushtuar një homazh një prej figurave më të shquara të muzikës shqiptare, Gjon Simonit.

Nën drejtimin e mjeshtrit të muzikës, Eno Koço, “Nderi i Kombit” dhe me pjesëmarrjen e violinistit të njohur Lorenc Radovani, publiku do të ketë mundësinë të përjetojë një udhëtim muzikor në botën e pasur dhe emocionale të Gjon Simonit, një kompozitor që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e muzikës profesioniste shqiptare.

“Gjoni Simoni është një kompozitor, një orkestrues, një aranzhator, një ideator, domethënë i gjithanshëm, dhe është kënaqësi e madhe t’ia kushtojmë atij gjithë koncertin,” thotë dirigjenti Koço.

“Koncerti i përket vitit 1989–90. Është një koncert i plotë me ngarkesë teknike e ideore, me inteligjencë krijimtarie, e cila shfaqet si në formë, ashtu edhe në përmbajtje, në orkestracion. Ai ishte mjeshtër i orkestracionit,” shprehet violinisti Radovani.

Gjon Simoni njihet për stilin e tij unik, ku meloditë lirike ndërthuren me ritme dinamike dhe orkestrim brilant.

Krijimtaria e tij përfshin simfoni, koncerte, balete, muzikë dhome dhe këngë, duke u bërë një pikë reference për brezat e rinj të muzikantëve shqiptarë.

Koncerti do të jetë më 23 tetor, në Sallën e Universitetit të Arteve, ora 19:00.

Gazetare: Xhilda Kondi

/rtsh.al/