Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar çel më 4 shtator Stinën Koncertore 2025–2026 me një mbrëmje të veçantë muzikore në sallën e Universitetit të Arteve.
Nën dirigjimin e maestros Facundo Agudin dhe me solisten e njohur, mexosopranon Vikena Kamenica, publiku do të udhëtojë mes krijimtarisë moderne dhe klasikëve të pavdekshëm.
Për herë të parë, Orkestra Simfonike e RTSH-së do të interpretojë të plotë ciklin e simfonive të Ludwig van Beethoven, duke e shndërruar këtë vit koncertor në një udhëtim unik muzikor. Mbrëmja e hapjes nis pikërisht me Simfoninë nr. 1, veprën që shënoi hyrjen e kompozitorit gjerman në historinë e muzikës.
Një tjetër moment i veçantë do të jetë premiera botërore e veprës “Tre këngë të Kadaresë” nga kompozitori zviceran Andreas Pflüger, një mik i Orkestrës, i cili ka përzgjedhur vargje të Ismail Kadaresë për t’i shndërruar në një triptik muzikor modern, që ndërthur letërsinë dhe tingullin simfonik.
“Këtë sezon do të sjellim për publikun shqiptar ciklin e plotë të simfonive të Bethovenit. E nisim me Simfoninë nr. 1, një vepër plot freski dhe energji rinore. Kemi një imazh argëtues për ta ndarë me ju, sepse ky Bethoven do të ndërrojë bluzën sa herë të prezantojmë një tjetër simfoni, pra, përgjatë gjithë sezonit.
Por jo vetëm kaq, do të kemi edhe një premierë botërore nga kompozitori zviceran Andreas Pflüger, i cili sapo ka mbërritur në Tiranë. Jam shumë i lumtur për këtë, sepse vepra e tij nuk është thjesht një pjesë vetëm për orkestër, por tri këngë moderne të kompozuara mbi tre poezi të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare. Dhe kush tjetër mund t’i interpretonte këto? Veçse mikja jonë Vikena Kamenica, që jam shumë i gëzuar ta kemi në skenë”, shprehet maestro Agudin.
Ky koncert i parë është fillimi i një sezoni të pasur, që pritet të sjellë plot emocione e surpriza për publikun shqiptar.
Gazetare: Xhilda Kondi









