Padia kolektive në Australi godet Meta-n, gjigandi teknologjik përballet me akuza për nxitjen e varësisë te të rinjtë, përdoruesit kërkojnë dëmshpërblim

Gjigandi teknologjik Meta dhe platformat e tij kryesore, Facebook dhe Instagram, po përballen me një padi të re kolektive në Australi, ku akuzohen për projektim të qëllimshëm të shërbimeve të tyre me qëllim krijimin e varësisë te përdoruesit, veçanërisht te fëmijët dhe adoleshentët.
Çështja është regjistruar zyrtarisht në Gjykatën Federale në Sydney nga firma ligjore Litigation Lending në emër të tetë paditësve kryesorë. Përmes kësaj padie kërkohet dëmshpërblim financiar për të gjithë përdoruesit e Facebook dhe Instagram të cilët janë ekspozuar ndaj përmbajtjeve të dëmshme ose kanë zhvilluar çregullime të varësisë nga mediat sociale.
Përballë fuqisë financiare të gjigandit teknologjik, kompania ligjore ka marrë përsipër financimin e plotë të procesit për të mbështetur familjet australiane. Përfaqësuesit e firmës vënë në dukje se pa këtë mbështetje, qytetarët “nuk do të kishin mjete praktike për të ndjekur këto pretendime para një gjigandi global të teknologjisë”.
Lidhur me qëllimin thelbësor të këtij procesi gjyqësor, avokati i Litigation Lending, William Nolan, nënvizoi se “padia ngre pyetje të rëndësishme në lidhje me projektimin dhe funksionimin e platformave të mediave sociale dhe ndikimin e tyre tek fëmijët dhe adoleshentët në Australi”.
Kjo lëvizje ligjore në Australi pason një precedent të rëndësishëm financiar dhe gjyqësor në SHBA, ku gushtin e kaluar Meta pranoi të paguante deri në 17.7 miliardë dollarë pas akuzave të ngjashme për dizajnimin e platformave me efekte varësie mbi përdoruesit e rinj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




