Pagat e bllokuara, bojkot në disa gjykata. Administratat gjyqësore kërkojnë zgjidhjen e ngërçit

Ngërçi për pagat në sistemin e drejtësisë ka sjellë ndërprerje të pjesshme të aktivitetit gjyqësor në disa qytete. Në Durrës, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm njofton se veprimtaria është ndërprerë vetëm në Seksionin Civil, ndërsa shërbimet ofrohen në mënyrë të kufizuar dhe vetëm për çështjet urgjente.
Sipas gjykatës, veprimtaria nuk është cenuar në thelb, pasi gjyqtarët e Republikës ndodhen në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, ku po diskutohet situata e pagave.
Ndërkohë, në Fier, administrata gjyqësore vijon për të dytën ditë radhazi bojkotin. Qytetarëve nuk po u ofrohen shërbimet e zakonshme, ndërsa zhvillohen vetëm seancat me karakter urgjent.
Punonjësit shprehen të indinjuar, duke theksuar se paga është e vetmja e ardhur për familjet e tyre. Ata kanë përgatitur edhe një kërkesë për rritje page, duke argumentuar se pagat e administratës janë në dispropocion me ato të gjyqtarëve, ndërsa fluksi i punës në Gjykatën e Fierit është i lartë.
Bojkoti ka nisur sot edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat. Edhe këtu administrata nuk ka marrë pagat e muajit gusht, të cilat, sipas punonjësve, duhet të ishin kaluar që më 3 shtator.
Për shkak të mbledhjes së përgjithshme të gjyqtarëve, në gjykatë po zhvillohen vetëm çështjet urgjente, si masat e sigurisë dhe urdhrat e mbrojtjes. Administrata kërkon zgjidhjen e situatës dhe kalimin e pagave, ndërsa paralajmëron se bojkoti mund të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
Ngërçi nisi pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit të 31 korrikut formulën e re për pagat e magjistratëve, sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë përcaktuan pagën referuese, por Ministria e Financave nuk ka ekzekutuar listëpagesat e përllogaritura me rritje, duke argumentuar se përcaktimi i formulës së pagave është kompetencë e Kuvendit.
Për pasojë, pagat e muajit gusht vijojnë të mbeten të bllokuara për gjyqtarët, prokurorët dhe administratën e gjykatave e prokurorive.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




