Panairi i Librit në Ulqin, edicioni i 24-t bashkon kulturën dhe lexuesit deri më 31 korrik
Sheshi i Suvenireve u kthye mbrëmjen e së dielës në një hapësirë kulturore me hapjen zyrtare të edicionit të 24-t të Panairit të Librit “Ulqini 2025”.
Kjo ngjarje letrare, që tashmë është bërë tradicionale në qytetin bregdetar, mblodhi shumë vizitorë, dashamirës të librit dhe personalitete të botës politike e kulturore.
Edicionin e 24-t e përshëndeti Ministri për Pakicat, Fatmir Gjeka, i cili e vlerësoi rëndësinë e këtij aktiviteti për pasurimin kulturor të komunitetit.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genc Nimanbegu dhe organizatorja Irena Toçi u shprehën mbi ndikimin që ka ky panair në trevën shqiptare të Malit të Zi.
“Është një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në qytetin tonë, e cila tashmë është shndërruar në një traditë të dashur, në një piketim të çmuar për të gjithë ata që besojnë në fuqinë e fjalës së shkruar,” deklaroi z. Nimanbegu.
“Në çdo panair kam falënderuar pikësëpari themeluesit e tij, z. [Gëzim] Hajdinaga dhe z. [Fatmir] Toçi. Pa ëndrrën e tyre dhe pa atë fillim aventuresk të para 24 viteve, ndoshta nuk do ta kishim sot këtë event,” tha znj. Toçi.
Panairi do të qëndrojë i hapur deri më 31 korrik nga ora 18:00 deri në 24:00.
Gazetar: Marjo Gjini
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




