Papa Leo XIV shfaqet në Sheshin e Shën Pjetrit pas operacionit: E ndjeva vërtet mbështetjen tuaj

Europë | 42 minuta më parë

Një javë pas njoftimit mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe pesë ditë pas ndërhyrjes kirurgjikale për heqjen e një tumori malinj (adenokarcinomë) nga mushkëria e djathtë, Papa Leo XIV u shfaq sot në dritaren e Pallatit Apostolik për të drejtuar lutjen e Engjëllit të Shenjtë përpara besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit.

Gjatë paraqitjes së tij të parë publike pas daljes nga Poliklinika Gemelli, Ati i Shenjtë u shfaq në formë të mirë shëndetësore, duke lexuar tekstin e përgatitur me ritëm të qetë dhe pa hezitime. Në përmbyllje të lutjes, Papa iu drejtua turmës duke shprehur falënderime të përzemërta: “Dua të falënderoj të gjithë ata që janë lutur për mua këto ditë. E kam ndjerë vërtet mbështetjen tuaj! Faleminderit!”, ndërsa shtoi edhe një mirënjohje të veçantë për mjekët, infermierët dhe të gjithë me ekipin mjekësor që u kujdesën për shëndetin e tij.

Duke reflektuar mbi ditët e kaluara në spital, ai nënervijëzoi se “kjo përvojë më bëri të ndihem veçanërisht afër atyre që po kalojnë sëmundje dhe një gjendje dobësie”. Lidhur me vijimësinë e angazhimeve diplomatike dhe baritorë, Papa konfirmoi se rikthimi në detyrë do të bëhet me hapa të matur, duke deklaruar se “sapo të kalojë kjo fazë e vështirë, siç e dini, unë do të rifilloj gradualisht aktivitetet e mia, gjithmonë me ndihmën e Zotit dhe lutjet tuaja”.

Ecuria mjekësore dhe planifikimi i aktiviteteve

Sipas buletinit të pestë mjekësor të nënshkruar nga kirurgët Luigi Carbone dhe Stefano Margaritora, rezultatet e analizave të gjakut, radiografia e kraharorit dhe vlerësimi i përgjithshëm klinik treguan se Ati i Shenjtë ishte në gjendje të dilte nga spitali përpara afatit të parashikuar fillimisht. Ekipi mjekësor bëri me dije se rezultatet e analizave histologjike priten të dalin gjatë ditëve të ardhshme.

Ndërhyrja kirurgjikale zgjati 90 minuta dhe ecuria pozitive u konfirmua nga vetë Papa tek la spitalin Gemelli me buzëqeshje dhe duke përshëndetur turmën. Ekipi mjekësor vlerëson se shërimi i plotë do të kërkojë rreth dhjetë ditë. Gjithashtu, sipas konfirmimit të kirurgut operues për mediat e Vatikanit, nuk ekzistojnë arsye klinike që pengojnë udhëtimin e tij të planifikuar më 6 nëntor në Amerikën Latine.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme