Papa Leon flet me Putinin nga spitali vetëm disa ditë pas operacionit. Kërkon armëpushim për evakuimin e civilëve në Ukrainë

Papa Leoni ka zhvilluar një telefonatë me presidentin rus Vladimir Putin nga spitali, vetëm pak ditë pas një ndërhyrjeje kirurgjikale në mushkëri, gjatë së cilës kërkoi një armëpushim për të mundësuar evakuimin e sigurt të civilëve në qytetin ukrainas Oleshky, të pushtuar nga Rusia.
Sipas Vatikanit, Papa shprehu “shqetësim të thellë” për situatën e rëndë humanitare në qytetin e rajonit të Khersonit, ku, sipas autoriteteve ukrainase, rreth 2,000 civilë kanë mbetur të bllokuar, ndërsa furnizimet me ushqime dhe ilaçe janë ndërprerë.
Kreu i Kishës Katolike bëri thirrje për një armëpushim lokal, i cili do të lejonte evakuimin e civilëve dhe dërgimin e ndihmave humanitare.
Nga ana e tij, Kremlini deklaroi se Putin mbështeti synimin e Vatikanit për të ndihmuar në lehtësimin e situatës humanitare. Ndërkohë, Ukraina ka akuzuar Rusinë për krijimin e qëllimshëm të një katastrofe humanitare në Oleshky.
Sekretari i Shtetit i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, shprehu shpresën se presidenti rus do t’i përgjigjej pozitivisht kërkesës së Papës.
Telefonata, e dyta mes Papës Leon dhe Putinit gjatë këtij papati, vjen ndërsa Ati i Shenjtë po rikuperohet pas ndërhyrjes kirurgjikale të së martës. Sipas Vatikanit, gjendja e tij shëndetësore po shënon përmirësim të vazhdueshëm.
Të premten, Papa Leoni drejtoi meshën në spitalin Gemelli, ku morën pjesë edhe pjesëtarë të stafit mjekësor dhe infermieror. Fotografitë e publikuara nga Vatikani e treguan atë në këmbë, duke kremtuar meshën në kapelën e improvizuar të spitalit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




