Paralajmërimi i SHBA për kërcënime iraniane, analisti Mema: Shqipëria mes objektivave të mundshme. Prania e muxhahedinëve dhe konfliktet diplomatike, dy arsyet kryesore

Aktualitet | 7 muaj më parë

Ambasada amerikane paralajmëroi një ditë më parë se grupe të lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë edhe në Shqipëri subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara, duke rritur shqetësimet për sigurinë në rajon.

Në një lidhje për emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, analisti i çështjeve ndërkombëtare, Medlir Mema, u shpreh se Shqipëria mbetet një nga vendet potencialisht të rrezikuara për shkak të disa faktorëve të ndjeshëm.

Sipas tij, prania e muxhahedinëve në kampin e Manzës dhe marrëdhëniet e tensionuara mes Shqipërisë dhe Iranit e vendosin vendin në një pozitë të ekspozuar.

“Shqipëria mund të jetë një nga shënjestrat e mundshme të Iranit, pasi marrëdhëniet mes dy vendeve kanë kohë që janë të ftohta dhe konfliktuale”, u shpreh Mema, duke kujtuar edhe episode të mëparshme të tensioneve diplomatike.

Ai theksoi se paralajmërimi i Ambasadës amerikane duhet parë më shumë si një masë parandaluese dhe informuese për shtetasit amerikanë që ndodhen në Shqipëri dhe në rajon, sesa si një sinjal për një rrezik të menjëhershëm. Sipas tij, paralajmërime të ngjashme janë dhënë edhe për vende të tjera të rajonit.

Duke folur për zhvillimet e konfliktit në Lindjen e Mesme, Mema u shpreh se situata është ende në faza përshkallëzimi. “Jemi në një fazë të ndërmjetme të konfliktit dhe ekziston ende mundësia e zgjerimit të tij. Irani ka kapacitetin për ta përshkallëzuar më tej situatën, por ende nuk kemi parë një aktivizim të plotë të strukturave të tij”, tha ai.

Analisti nënvizoi gjithashtu se Shqipëria ka qenë më herët objekt i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve nga Irani, çka e bën paralajmërimin aktual më të besueshëm.

Në përfundim, ai shprehu shpresën që institucionet shqiptare të jenë të përgatitura dhe të mos kenë pritur vetëm reagimin e Ambasadës amerikane për të marrë masa në funksion të sigurisë.

“Irani rezervon akoma mundësi për të përshkallëzuar konfliktin, e ka aftësinë për t’a zgjeruar. Në kontekstin e kësaj mundësie ambasada amerikane është munduar të paralajmërojë shtetasit e saj, por dhe shtetasit shqiptarë. Kjo pasi Shqipëria në të shkuarën ka pasur sulme kibernetike. Ka pasur po ashtu dhe kërcënime nga regjimi Iranian për shkak të deklaratave dhe veprimeve të qeverisë shqiptare në kundërshtim me interesat e Iranit.

Unë shpresoj që qeveria shqiptare të mos ketë pritur për këtë reagim nga ambasada amerikane”, përfundoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme