Pas muajsh në mërgim, Maria Corina Machado rikthehet në Venezuelë

Botë | 41 minuta më parë

Udhëheqësja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, është rikthyer në atdhe pas më shumë se 10 muajsh në mërgim, në një moment të trazuar për skenën politike të vendit.

Kthimi i saj vjen pas zhvillimeve të rëndësishme politike në Venezuelë. Në janar, Shtetet e Bashkuara kapën presidentin Nicolás Maduro, ndërsa administrata Trump mbështeti zëvendësen e tij, Delcy Rodríguez, e cila u betua si presidente e përkohshme. Më pas, Rodríguez nënshkroi një marrëveshje për naftën që i ofronte kushte të favorshme SHBA-së.

Machado ishte larguar nga Venezuela për të udhëtuar drejt Norvegjisë, ku pranoi Çmimin Nobel për Paqen. Përpjekjet e saj të mëparshme për t’u rikthyer në vend nuk kishin pasur sukses.

Mbërritjen e saj e konfirmoi edhe aleati politik, Edmundo González, ish-kandidat presidencial, i cili deklaroi se ishte i emocionuar për kthimin e saj.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për venezuelianët. Zëri ynë sovran kthehet me të për të udhëhequr këtë proces”, u shpreh González, duke shtuar se synon t’i bashkohet asaj për ta çuar vendin drejt lirisë.

Ende nuk është e qartë se cilat do të jenë hapat e ardhshëm politikë të Machado-s. Ajo ka deklaruar më herët se do të kandidonte sërish për presidente nëse do të mbaheshin zgjedhje të reja.

Machado u bë një nga figurat kryesore të opozitës pasi fitoi me mbi 90% të votave zgjedhjet paraprake të opozitës në vitin 2023. Megjithatë, qeveria e atëhershme e Nicolás Maduros e ndaloi të kandidonte në zgjedhjet zyrtare, duke e akuzuar për mashtrim dhe shkelje tatimore. Ajo i mohoi akuzat, duke i cilësuar si të motivuara politikisht.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme