Pas reagimit të ministrit Demo, Policia pezullon dy efektivë të përfshirë në incidentet e filmuara

Aktualitet | 32 minuta më parë

Pas deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme, Ervin Demo, lidhur me rastet e dyshuara të tejkalimit të kompetencave nga efektivë të Policisë së Shtetit gjatë protestave në Tiranë, ka reaguar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, duke urdhëruar masa të menjëhershme administrative.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, menjëherë pas publikimit në rrjetet sociale dhe media të videove ku shfaqen dy punonjës policie duke vepruar në kundërshtim me parimin e proporcionalitetit gjatë ndërhyrjes në tubimin e zhvilluar në Tiranë, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar pezullimin e tyre nga detyra.

Bëhet fjalë për inspektorët E. P. dhe T. Ç., me detyrë në Patrullën e Përgjithshme pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë.

Njëkohësisht, Hita ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale të nisë menjëherë hetimin disiplinor ndaj dy efektivëve, me qëllim verifikimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e përgjegjësive.

Ky vendim vjen pak orë pasi ministri Demo deklaroi se ligji do të jetë i barabartë për të gjithë dhe se çdo tejkalim i kompetencave nga uniformat blu do të marrë përgjigjen e merituar sipas ligjit.

Në reagimin e saj, Policia e Shtetit thekson se nuk do të tolerojë asnjë rast dhune apo tejkalimi të detyrës nga punonjësit e saj, duke nënvizuar se përgjegjësia për veprimet e kryera është individuale.

“Përgjegjësia është individuale, por veprime të tilla cenojnë rëndë imazhin e Policisë dhe besimin e qytetarëve”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Policia e Shtetit garanton se mbetet e angazhuar në respektimin e ligjit, standardeve profesionale dhe të drejtave të qytetarëve, ndërsa hetimet ndaj dy efektivëve pritet të zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme