Pas dhunës në protesta, qeveria franceze nis konsultimet me sindikatat

Europë | 55 minuta më parë
Pas protestave të dhunshme që përfshinë disa qytete franceze gjatë ditëve të fundit, kryeministri Sébastien Lecornu pritet të zhvillojë sot takime me pesë sindikatat kryesore të vendit për të diskutuar garantimin e sigurisë gjatë demonstratave dhe përgjigjen e qeverisë ndaj kërkesave të studentëve.
Takimi vjen në një kohë kur autoritetet kanë shtuar masat e sigurisë dhe kanë vendosur shtetrrethim në disa zona, në përpjekje për të parandaluar trazira të reja.

Kryeministri Sébastien Lecornu pritet të zhvillojë takime me pesë sindikatat kryesore të vendit për të diskutuar garantimin e së drejtës së protestës, sigurinë gjatë demonstratave dhe përgjigjen ndaj kërkesave të studentëve.

Në takim do të marrë pjesë edhe ministri i Brendshëm, Laurent Nuñez.

Në qendër të debatit janë kërkesat e studentëve për përmirësimin e kushteve në shkolla, zëvendësimin e mësuesve që mungojnë, rinovimin e ndërtesave arsimore dhe reformimin e sistemit të pranimeve në universitet. Qeveria ka premtuar se do të paraqesë propozimet e para konkrete në fillim të javës së ardhshme.

Sindikatat kanë kritikuar mungesën e organizatave studentore në tryezën e konsultimeve dhe kërkojnë përgjigje të qarta për çështje si fuqia blerëse, rritja e kostos së jetesës dhe çmimet e karburanteve.

Ndërkohë, autoritetet franceze kanë bërë të ditur se qindra persona janë ndaluar pas trazirave dhe akteve të vandalizmit të regjistruara gjatë protestave. Qeveria paralajmëron tolerancë zero ndaj dhunës, ndërsa sindikatat këmbëngulin se protestat duhet të mbeten paqësore dhe të mos dominohen nga grupe të dhunshme.

Protesta të reja janë paralajmëruar për ditët në vijim, duke e mbajtur Francën në një gjendje të lartë gatishmërie për sigurinë publike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme