Pasditja e autorëve në Elbasan – Kujtohet Musa Vyshka, figurë e shquar e letrave dhe publicistikës
Në mjediset e bibliotekës publike “Qemal Baholli” të Elbasanit, Klubi i Leximit zhvilloi një aktivitet të veçantë në kuadër të “Pasditja e Autorëve” për të nderuar shkrimtarin dhe publicistin Musa Vyshka.
Një figurë e spikatur në historinë e shtypit dhe letërsisë lokale, Vyshka ka lënë gjurmë të dukshme me temat që trajtonin jetën, kulturën dhe arsimin në Elbasan.
Të pranishëm ishin familjarë, miq dhe ish-studentë të tij, të cilët sollën në kujtesë vepra dhe kujtime të ngrohta për njeriun që përmes fjalës së shkruar pasqyroi personalitetet dhe zhvillimet më të rëndësishme të qytetit.
“Në mendjen time, Musa Vyshka ka mbetur si një ndër poetët lirikë, jo vetëm të Elbasanit, por në mbarë Shqipërinë. Kjo duket që në librin e tij të parë, ‘Ne 20-vjeçarët’.“
Mes të ftuarve ishin edhe fëmijët e shkrimtarit, të cilët u prekën nga respekti dhe dashuria që shfaqën të pranishmit. Ata falënderuan bibliotekën publike për këtë organizim të veçantë, duke theksuar rëndësinë e figurave si Musa Vyshka, që i kanë dhënë gjithçka qytetit të tyre..
“Është një krijimtari shumë e gjerë, e gjatë, që fillon që nga viti 1963, domethënë që nga mosha 21-vjeçare e deri në vitin 2014. Elbasani ka një plejadë të shkëlqyer shkrimtarësh, bashkëkohës të tim eti: Hyjni Ceka, Bexhet Çerma, Milianov Kallupi, Lirim Deda, Astrit Bishqemi, të cilët nuk jetojnë. Ky takim ishte edhe një homazh për ta,” tha i biri i autorit, gazetari Gjergj Vyshka.
Ky aktivitet u kurorëzua me përgatitjen e një bibliografie tematike në prag të ditëlindjes së autorit, për të kujtuar njeriun që me pasion dhe përkushtim i shërbeu kulturës vendase përmes penës së tij të veçantë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




