Pavarësisht takimit me Macron, studentët francezë bëjnë thirrje për vazhdimin e protestave

Europë | 55 minuta më parë

Përfaqësuesit e organizatave të nxënësve të shkollave të mesme në Francë kanë bërë thirrje për vazhdimin e mobilizimit dhe protestave, menjëherë pas përfundimit të një takimi të zhvilluar në Pallatin Élysée me Presidentin Emmanuel Macron. Kjo ishte përballja e parë direkte mes kreut të shtetit dhe drejtuesve të lëvizjes studentore që nga shpërthimi i protestave më shumë se një muaj më parë.

Gjatë këtij takimi, Macron premtoi një reformim të thellë të sistemit të pranimit në universitete, i njohur si Parcoursup, i cili që nga krijimi i tij në vitin 2018 është kritikuar ashpër si opak dhe diskriminues.

Megjithatë, premtimet e presidentit nuk kanë mjaftuar për të zbutur pakënaqësinë e të rinjve, të cilët insistojnë në mbajtjen e presionit ndaj qeverisë.

Nga ana tjetër, autoritetet franceze po marrin masa të rrepta sigurie përballë mobilizimeve të reja të paralajmëruara për këtë fundjavë. Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, njoftoi se rreth 70,000 forca sigurie do të vendosen në terren për të ruajtur rendin në të gjithë vendin.

Pas dhunës dhe akteve të vandalizmit të regjistruara gjatë protestave të javës së kaluar, masat shtrënguese janë shtuar ndjeshëm: në Paris është zgjatur shtetrrethimi partial në disa zona deri të hënën, ndërsa në qytete të mëdha si Marsejë dhe Lion protestat janë ndaluar tërësisht.

Në të gjithë vendin do të lejohen vetëm demonstratat e organizuara zyrtarisht nga sindikatat, ndërkohë që edhe sindikatat e sektorit privat tashmë kanë bërë thirrje për një grevë të përgjithshme më 5 nëntor.

Trazirat po prekin gjithnjë e më shumë jetën e përditshme, ekonominë dhe ngjarjet kryesore në vend. Bisneset dhe pronarët e dyqaneve në kryeqytet i frikësohen plaçkitjeve të reja, çka ka shtyrë shumë prej tyre të mbyllin aktivitetin.

Si pasojë e situatës së tensionuar dhe me kërkesë të policisë, Lidhja Franceze e Futbollit u detyrua të shtyjë ndeshjen e Ligës 1 mes Paris Saint-Germain dhe Lyon, e cila do të luhet të hënën në vend të së diellës.

Ndikimi i krizës po ndihet edhe në nivelin diplomatik, ku Presidenti Macron u detyrua të shtyjë vizitën e tij zyrtare të planifikuar në Senegal dhe Nigeri, për t’u përqendruar plotësisht në menaxhimin e situatës brenda vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme