Pavijonit të onkologjisë Korçë i jepen 5 poltrona të kimioterapisë nga “Albanians Fighting Cancer”
Pavijoni i Onkologjisë në Spitalin Rajonal të Korçës është kompletuar me pajisjet e nevojshme për trajtimin e pacientëve, falë një donacioni me pesë poltrona të rinj për kimioterapi. Me mbërritjen e tyre, të dy dhomat e trajtimit disponojnë tashmë 10 poltrona, duke përmbushur standardet bashkëkohore të cilësisë, sigurisë dhe komoditetit për pacientët.
“Reparti është plotësisht i kompletuar. Janë 10 poltrona moderne të standarteve europiane. Përveç poltronave kemi dhe donacione të tjera që janë mjaft të rëndësishme për pacientët tanë. Pompa për infuzion të kimioterapisë, age për pacientët që janë me porta qendrore dhe shumë e shumë materiale të tjera”, deklaroi Jusilda Dervishi Mjeke onkologë.
Me këtë donacion shërbimi i kimioterapisë në Spitalin Rajonal të Korçës është tashmë i kompletuar dhe në të njëjtin nivel me pavijonet onkologjike të spitaleve të tjera rajonale dhe më gjerë. Kjo do të përmirësojë ndjeshëm kushtet e trajtimit dhe do t’u ofrojë pacientëve një shërbim më cilësor pranë vendbanimit të tyre.
“Fatmirësisht të gjitha këto donacione e kanë bërë repartin me standarte më të mira se çka qenë bashkëkohore siç mund të ofrojnë dhe vendet fqinje si Greqia, Italia ose vendet e tjera të rajonit”, shtoi mjekja.
Donacioni është mundësuar nga shoqata “Albanians Fighting Cancer”, me mbështetjen e fondacioneve dhe donatorëve në Shtetet e Bashkuara. Kjo nuk është hera e parë që shoqata kontribuon për Spitalin Rajonal të Korçës, duke mbështetur vazhdimisht përmirësimin e kushteve dhe shërbimeve për pacientët.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





