PDK përgënjeshtron raportimet: Nuk ka vendim zyrtar për dorëheqjen e Bedri Hamzës

Kosovë | 36 minuta më parë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka sqaruar publikisht se nuk ka asnjë vendim zyrtar lidhur me dorëheqjen e kryetarit të saj, Bedri Hamza, duke hedhur poshtë raportimet e fundit në disa medie.

Në një deklaratë nga Zyra për Informim e PDK-së, bëhet me dije se kryetari i partisë e ka bërë të qartë pozicionin e tij për të ardhmen e udhëheqjes: “Nuk ka asnjë vendim zyrtar lidhur me këtë çështje. Kryetari Hamza e ka bërë të ditur publikisht se, kurdo që hapet procesi i zgjedhjeve të brendshme, do të japë dorëheqje dhe nuk do të rikandidojë më”.

Sipas përfaqësuesve të PDK-së, fokusi kryesor i strukturave drejtuese në këtë fazë mbetet i përqendruar te mbështetja e procesit gjyqësor në Hagë. “Në këtë fazë partia është e përqendruar në finalizimin e hapave për mbështetjen e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, në fazën e apelit”, bën të ditur Zyra për Informim, duke shtuar se për çdo vendim zyrtar opinioni publik do të njoftohet në kohën e duhur.

Sqarimi i partisë vjen pas raportimeve mediatike ku pretendohej se Hamza ka njoftuar kryesinë për largimin e tij dhe se zyrtarizimi pritej brenda pak ditësh. Po sipas këtyre aludimeve, nënkryetarja Vlora Çitaku përflitej për marrjen e detyrës si ushtruese e detyrës së kryetares për të përgatitur Kuvendin Zgjedhor të vitit të ardhshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme