Peleshi takon Presidenten Bundestagut Klöckner: Gjermania mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Politikë | 7 muaj më parë

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, në kuadër të diplomacisë parlamentare po zhvillon një vizitë zyrtare në Gjermani. Peleshi u prit sot nga Presidentja e Bundestagut, Julia Klöckner. Vizita u përqendrua në thellimin e bashkëpunimit parlamentar dhe forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Gjermanisë dhe mbështetjen e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Gjatë takimit, u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe, të cilat karakterizohen nga një dialog i intensifikuar politik dhe mbështetje e vazhdueshme e Gjermanisë për procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Kryetari Peleshi shprehu mirënjohjen për rolin kyç të Gjermanisë në mbështetjen e reformave, veçanërisht në fushat e drejtësisë, demokracisë dhe legjislacionit zgjedhor. 

Gjatë takimit u nënvizua mbështetja e Gjermanisë si një faktor vendimtar për përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. U theksua nevoja për një proces zgjerimi të bazuar në merita dhe për vazhdimin e reformave të thella në vend. 

Në fokus të diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi ndërparlamentar, i cili është shumë aktiv, me shkëmbime të rregullta vizitash dhe intensifikim të kontakteve mes grupeve të miqësisë dhe komisioneve parlamentare. U theksua rëndësia e vijimit të këtyre shkëmbimeve për avancimin e agjendës europiane të Shqipërisë dhe forcimin e kapaciteteve institucionale të Kuvendit.

Gjermania u vlerësua si një nga partnerët kryesorë ekonomikë të Shqipërisë, me rritje të ndjeshme të investimeve e shkëmbimeve tregtare gjatë viteve të fundit. Kryetari Peleshi shprehu gatishmërinë për të përmirësuar më tej klimën e biznesit dhe për të tërhequr më shumë investime gjermane në sektorë kyç si energjia, industria, teknologjia dhe turizmi. 

Gjithashtu, palët diskutuan zhvillimet në rajon dhe sfidat e sigurisë e të paqes, duke theksuar rolin e rëndësishëm të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë. U riafirmua angazhimi i të dy vendeve në mbështetje të Ukrainës dhe në përputhje me politikat e përbashkëta të NATO-s dhe BE-së. 

Vizita e Kryetarit të Kuvendit në Berlin konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e partneritetit Shqipëri-Gjermani, mbëshetjen e anëtarësimit në BE dhe avancimin e bashkëpunimit parlamentar, politik dhe ekonomik mes dy vendeve.

Kryetari i Kuvendit shoqërohet në këtë vizitë zyrtare në Gjermani nga delegacioni i Kuvendit, i përbërë nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PS dhe Kryetar i Grupit të Miqësisë Taulant Balla, deputetët Iris Luarasi, Erion Malaj, Edmond Haxhinasto, Redi Muçi dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme