Përçarjet në LDK për kandidaturën e Bekim Sejdiut, Kurti: Marrëveshja mbetet e vlefshme, do të takohem sërish me Abdixhikun

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se marrëveshja e arritur me LDK-në për kandidaturën e Bekim Sejdiut për President mbetet e vlefshme, pavarësisht se gjashtë deputetë të LDK-së nuk e mbështetën atë.
Pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Kurti tha se deputetët e VV-së e kanë mbështetur në mënyrë të plotë kandidaturën e Sejdiut.
Sipas tij, qëndrimi i gjashtë deputetëve të LDK-së përbën një situatë të re, për të cilën do të rikthehet në diskutime me kryetarin e kësaj partie, Lumir Abdixhikun.
“Mirëpo më pas patëm edhe këtë njoftimin negativ që gjashtë deputetë nga 18 sa i ka grupi parlamentar i LDK-së nuk e mbështesin profesor Bekim Sejdiun për president të Republikës. Kjo është një situatë e re, e cila kërkon që në njërën anë unë të takohem përsëri me kryetarin e LDK-së dhe në anën tjetër që të rikthehem në kryesinë e Lëvizjes Vetëvendosje për ta diskutuar rrethanën e re dhe rrugën që duhet të ndjekim përpara”, tha Kurti.
Ai e cilësoi si të papërgjegjshme dhe të dëmshme sjelljen e gjashtë deputetëve të LDK-së, duke paralajmëruar se një situatë e tillë mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Kurti tha se qytetarët kanë shprehur vullnetin e tyre në tri palë zgjedhje dhe se nuk duhet të shkohet sërish në zgjedhje të parakohshme pa një arsye të fortë.
“Qytetarët kanë folur edhe më 9 shkurt, më 28 dhjetor të vitit 2025, kanë folur edhe më 7 qershor të vitit 2026. Nuk do të duhej që pa arsye, pa nevojë, përsëri të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, u shpreh ai.
Kurti theksoi se Vetëvendosje e ka përmbushur pjesën e saj të marrëveshjes dhe se tani pritet të zhvillohen diskutime të tjera me LDK-në për të gjetur një zgjidhje.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




