Përdorimi i AI për këshilla shëndetësore, mjekët: diagnoza duhet të jepet vetëm nga specialistët
Inteligjenca artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë nga qytetarët edhe për të marrë këshilla shëndetësore.
Në Sarandë, mjekët e spitalit kanë vënë re se disa pacientë janë konsultuar fillimisht me inteligjencën artificiale për probleme të ndryshme shëndetësore, përpara se të drejtohen te një profesionist i mjekësisë. Sipas tyre, kjo tregon se teknologjia po bëhet pjesë e përditshme e jetës së njerëzve.
Bluzat e bardha shprehen se ky fenomen është disi shqetësues, pasi inteligjenca artificiale nuk mund të japë këshilla të sakta mjekësore pa një konsultë të drejtpërdrejtë me mjekun dhe pa një diagnozë të qartë. Shefi i urgjencës, Spiro Talo, u shpreh se “Kemi pasur raste që janë konsultuar me ChatGPT, por dua të them që duhet të keni shumë kujdes. Pavarësisht informacionit që mund të keni nga ChatGPT, duhet patjetër konsulta me mjekun. Pjesa njerëzore është e pazëvendësueshme në mjekësi.”
Ata theksojnë se informacioni që mund të merret nga teknologjia është i përgjithshëm dhe nuk zëvendëson vlerësimin profesional të një mjeku.
Sipas mjekëve, përdorimi i inteligjencës artificiale nuk kufizohet vetëm te të rinjtë, por po përdoret nga persona të moshave të ndryshme. Moshat e reja dhe ato të mesme e përdorin konsultën nëpërmjet AI. Fatmirësisht për momentin nuk është masiv, por kur vijnë thonë që kemi pyetur ChatGPT dhe na ka thënë këtë gjë. Jam i shqetësuar.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





