Përfshihet nga flakët mjeti lundrues në Ksamil, shpëtohen 4 turistë gjermanë
Përfshihet nga flakët një mjet lundrues në vendin e quajtur “Pema e Thatë” në Ksamil. Policia Kufitare dhe ajo Njësia Policore Detare kanë ndërhyrë në kohë për t’u ardhur në ndihmë 4 shtetasve gjermanë të cilët ndodheshin në bord, duke i transportuar ata drejt bregut.
Policia sqaron se 4 turistët gjermanë ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë pësuar asnjë dëmtim fizik.
“Ksamil/Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare, ndërhyrje në kohë për të ndihmuar 4 shtetas gjermanë, pasi mjeti me të cilin ata lundronin u përfshi nga flakët.
Pas marrjes së njoftimit se në vendin e quajtur “Pema e Thatë”, në Ksamil, një mjet lundrues ishte përfshirë nga flakët në pjesën e brendshme të tij, shërbimet e Policisë Kufitare dhe të Njësisë Policore Detare, të cilat ndodheshin në zonë, janë nisur drejt vendngjarjes. Falë ndërhyrjes së shpejtë të punonjësve të Policisë, u lokalizua mjeti lundrues dhe 4 shtetasit gjermanë që ndodheshin në bordin e tij u evakuuan dhe u transportuan me mjetin e Policisë, drejt bregut. 4 shtetasit janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë pësuar dëmtime fizike. Ata falënderuan punonjësit e Policisë që ndërhynë në kohë për t’i ndihmuar.
Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




