Përfundon mbledhja e Këshillit të Imuniteteve për zv.kryeministren, Balla: Masa e pezullimit nga detyra e mjaftueshme. Bardhi: PS u kthye në mburojë politike

Në përfundim të mbledhjes së Këshillit për Imunitetin dhe Mandatet, PS dhe PD kanë dalë të ndarë, lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit për Belinda Ballukun.
Gjatë një deklarate për mediat, Balla tha se anëtarët e PS janë kundër kërkesës së SPAK duke vlerësuar se masa e pezullimit për Ballukun është e mjaftueshme.
Balla theksoi se gjatë mbledhjes janë ngritur një sërë pyetjesh nga deputetët drejtuar përfaqësuesve të SPAK-ut dhe avokatëve, të cilat sipas tij kanë hedhur dritë mbi çështje që lidhen me elementë kushtetues dhe parimin e prezumimit të pafajësisë.
“Sot ka dalë në pah se SPAK pati pezulluar shqyrtimin e pezullimit se po shprehej Gjykata Kushtetuese. Pyetjet e të gjithë deputetëve ndaj palëve të përfaqësues, dhe SPAK dhe avokatëve, mendoj që kanë hedhur dritë mbi shumë çështje që lidhen me elementin të kushtetutës, prezumimit të pafajësisë. Në përfundim të këtij procesi, duke qenë se pala tjetër e kishin marrë vendimin para se të bëhej shqyrtimi, ndërkohë që në rastin tonë, në emër të 5 deputetëve, kam informuar këshillin e mandateve, ne nuk ishim dakord me atë mënyrë sesi është propozuar. Do të kemi diskutim, një informim nga ana ime dhe anëtarët e tjerë në një nga mbledhjet e para të mbledhjes së grupit sepse siç e dini nuk e jep autorizimin Këshilli, kjo mbledhje që ishim këtu, autorizimin e jep seanca plenare dhe atij komunikimi, grupi parlamentar i PS shpesh herë i bën mbledhjet e hapura por duhet të kuptojmë që ka disa element të cilat nuk mund ti bëjmë publik, në përfundim të këtij procesi, sapo kolegu Ulsi Manja të ketë hartuar raportin në emër e 5-es tonë. Masa e pezullimit besoj se është mjaftueshëm”, u shpreh Balla.
Nga ana tjetër kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi, ka folur pas përfundimit të mbledhjes Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, duke thënë se anëtarët e mazhorancës u bënë mburojë politike e Belinda Ballukut.
Sipas Bardhit, në mbledhje prokuroria pranoi se situata penale ndaj Ballukut është rënduar ndjeshëm krahasuar me masat e para që gjykata kishte dhënë ndaj saj. Po ashtu, tha Bardhi, prokuroria pranoi në mbledhje se Balluku ka përdorur dy forma ndikimi dhe intimidimi për të ndryshuar dëshmitë e dëshmitarëve
“5 anëtarët e tij në Këshillin e Mandateve ishin urdhëruar të bëheshin mburojë politike për Ballukun. Prokuroria pohoi se situata penale e Ballukut është rënduar së tepërmi krahasuar me masat e para që gjykata ka dhënë ndaj saj, masa që në këtë moment të fundit nuk mbrojnë dot hetimin paanshëm dhe plotësisht nga prokuroria, këtë tha prokuroria.
Prokuroria tha se në kohën kur ndaj Ballukut u kërkuan masa ndaluese dhe shtrënguese, ai rrezikonte një dënim që mund të shkonte deri në 10 vite, por sot, siç shprehen prokurorët, Balluku rrezikon një dënim maksimal prej 35 vitesh. Kjo tregon një situatë të rënduar. Prokurorët vendosën në dispozicion të Këshillit prova të tjera, siç është fakti se Balluku, përmes dy formave, ka kërcënuar dëshmitarët: forma e parë, përmes të fortëve që kërcënuan me jetë dëshmitarët në çështjen Balluku, dhe e dyta, përmes zyrtarëve të lartë publikë, të cilët duke kërcënuar dëshmitarët se do t’i hiqnin nga puna dhe familjarët e tjerë, u kishin ofruar para për të ndryshuar dëshminë.
Këto janë relatimet e prokurorisë që u thanë në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, ky është citim i prokurorëve. Prokuroria ishte më e qartë se kurrë. Nuk bëhet fjalë vetëm për personat e pandehur, por edhe për dëshmitarët që do thirren nga SPAK, të cilët janë intimiduar përmes të fortëve dhe përmes zyrtarëve të lartë publikë, konkretisht kabinetit të zv.kryeministres. Nënvizoj që në një besnikëri profesionale, avokatët e Ballukut ndihmuan Këshillin që të merrte një vendim për miratimin e masave, pasi u shprehën se nuk ka asnjë pretendim për ndikim apo nxitje politike për të marrë masa ndaluese apo për të arrestuar Ballukun”, tha Bardhi.
Mbledhja e sotme u zhvillua me debate dhe me dyert të mbyllura për shkak të sekretit hetimor, kërkuar nga SPAK. Mbledhja u zhvillua për më shumë se 5 orë, ku të pranishëm ishim edhe prokurorët e çështjes të SPAK dhe avokatët e Belinda Ballukut, Pamela Qirko dhe Ardian Kalija.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




