Përkatësia etnike në RMV, Gjinishi: Klasa politike, përgjegjëse

Maqedonia e Veriut | 2 vite më parë

Duke u ndalur te historia e shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni, teologu dhe studiuesi Ermir Gjinishi deklaroi në studion e “Një Shqipëri” në RTSH 1 se klasa politike shqiptare duhet të mbajë përgjegjësi që “është treguar e vonuar” me këtë lloj përkatësie etnike.

“Rasti i shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni dhe i të krishterëve në Kosovë, ndryshon paksa nga rasti i Shqipërisë, megjithëse edhe ne në Shqipërinë e Jugut, kemi pasur premisa të ngjashme me ato. Ne nuk bëjmë përjashtim. Ky ka qenë problemi i madh i asimilimit të shqiptarëve, po themi ne, sepse për një periudhë të gjatë nuk është përmendur fare që shqiptarët kanë qenë të krishterë… as se, ka pasur apo nuk ka pasur të krishterë. Por e vërteta është se shqiptarët kanë qenë të krishterë që para ardhjes së islamit dhe turqve, sepse krishterimi ka ardhur shumë më parë. Ky është problemi i parë. Problemi i dytë, sipas meje, është mënyra se si shqiptarët u ndikuan nga etniciteti fetar që ka pasur krishterimi ortodoks,” u shpreh z. Gjinishi.

Sipas studiuesit, kjo nuk është një çështje thjesht historike:

“E para, duhet ta hapim ne, shqiptarët. Reagimi i parë duhet të vijë nga personalitetet fetare të besimeve të tjera në Maqedoni. Ne, në fund të fundit, jemi një komb që na ka dhënë Zoti, ndërsa religjionin e zgjedhim. Nuk është e arsyeshme që, për shkak të diferencave fetare, të mohojmë dhe të fshijmë pjesë të gjakut dhe historisë tonë, sepse ato janë pjesë e historisë, pavarësisht besimit të ndryshëm.

E dyta, ashtu siç u përmend, duhet të bëjmë studime dhe të nxjerrim realitetet që janë shqiptare. Ka shumë kisha në Maqedoni, që janë kishë arbërore dhe i përkasin periudhave të hershme të krishterimit shqiptar, të njohura botërisht dhe të mbështetura nga dokumente, qoftë në patriarkanë, qoftë dhe në Vatikan. Ne kemi një krishterim shumë të hershëm… dhe fakti është aty, historia është aty. Duhet vetëm që t’i qasemi kësaj çështjeje me një qëndrim të hapur për të njohur veten, pasi kjo është pjesa jonë.”

Gjinishi tha se shqiptarët në Maqedoni, për fat të keq, e kanë harruar këtë fakt dhe ka një pjesë, që e refuzon plotësisht. “Në fund të fundit, shqiptarët kanë përfaqësues të tyre politikë dhe në një shtet me kaq shumë probleme etnike, siç është Maqedonia, ata duhet të jenë më të shpejtë, për të trajtuar këtë çështje,” përfundoi ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme