Përmbytjet në Durrës, Vengu: 23 forca dhe 8 mjete të Emergjencave Civile në terren për përballimin e situatës
Qyteti i Durrësit është një nga më të prekurit nga përmbytjet e shkaktuar nga moti i keq që ka prekur vendin. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu bën me dije se 23 forca dhe 8 mjete të Bazës së Mbështetjes për Emergjencat Civile janë angazhuar në Durrës.
Po ashtu, mjetet po operojnë në zonën e Shkozetit, në autostradën Tiranë-Durrës dhe në rrugën e Burgut.
“23 forca dhe 8 mjete të Bazës së Mbështetjes për Emergjencat Civile janë angazhuar në Durrës për përballimin e situatës së përmbytjeve, me 7 motopompa në operacion, prej të cilave 4 me kapacitet të lartë. Mjetet po operojnë në zonën e Shkozetit, në autostradën Durrës–Tiranë dhe në rrugën e Burgut për menaxhimin e situatës në terren”, shkruan Vengu.
Sipas Ministrit, Forcat e Armatosura mbeten në gatishmëri dhe të angazhuara për garantimin e sigurisë së qytetarëve, ndërsa të gjithë personat, banesat e të cilëve janë prekur nga përmbytjet, do të akomodohen përkohësisht në Konvaleshencë, deri në stabilizimin e plotë të situatës.
Në qytetin e Durrësit, si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë, disa rrugë dhe lagje janë përmbytur, duke e bërë të vështirë lëvizjen e këmbësorëve dhe qarkullimin e automjeteve. Situata ka sjellë pezullimin e përkohshëm të punës në Portin e Durrësit, si dhe mbylljen e shkollave për arsye sigurie. Për shkak të përmbytjeve dhe kushteve të rrezikshme, janë mbyllur edhe aktivitetet tregtare në disa zona të qytetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



