Përmbytjet në vend, Rama: Prurjet marramendëse të plastikës në lumenj janë kriminale! Qeveria me masa të reja, do ketë ndëshkime

Aktualitet | 9 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se përgjegjësia për përmbytjet e ditëve të fundit nuk lidhet vetëm me kushtet atmosferike, por edhe me sjelljen e qytetarëve që hedhin mbeturina në kanalet kulluese, duke ndotur mjedisin dhe rënduar situatën.

Rama e cilësoi fenomenin e prurjeve të plastikës nga lumenjtë si të frikshme dhe kriminale.

“Përtej vorbullës atmosferike, ndryshimit klimatik, sasisë së reshjeve që në katër ditë ishte sa mesatarja e muajit janar, pra 30 ditëve reshje, në pesë vitet e fundit, faktori njerëzor ka peshën e vet. Ka peshën e vet për mirë ose për keq, njësoj siç edhe infrastruktura ka peshën e vet për mirë ose për keq. Jo për t’i ndalur, por për t’i bërë më të kontrollueshme, këto masa të jashtëzakonshme reshjesh dëbore dhe prurjesh. Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës. Hedhja rrugëve e shisheve dhe qeseve plastike, si të ishte ky vend jo atdheu ynë i përbashkët, por një kosh plehrash, është diçka që përdhos Shqipërinë dhe fytyrën e secilit prej nesh si qytetarë të Europës”, u shpreh ai.

Kryeministri dënoi sjellje të tilla, duke theksuar se qeveria do të dalë me masa të reja, përveç sensibilizimit dhe informimit, edhe me ndëshkime konkrete.

“Ne si qeveri e si shumicë popullore nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim. Sepse kjo që ndodh, hedhja e një shisheje apo qeseje plastike në rrugë, ka vetëm një fjalë që e përkufizon: krim”, theksoi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme