Përmbytjet, Rama: Hedhja e mbetjeve, lemeri papërgjegjshmërie, do ngremë Task Forcë. Flotë e re për bashkitë me fondin 20 mln € nga Emiratet Arabe

Politikë | 9 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me kryebashkiakët, ka theksuar se përmbytjet e ditëve të fundit nuk lidhen vetëm me intensitetin e reshjeve, por edhe me ndikimin e njeriut dhe papërgjegjshmërinë ndaj mbetjeve plastike.

Ai u ndal tek problematika e hedhjes së shisheve dhe qeseve në rrugë, si dhe mungesa e menaxhimit të mbetjeve familjare në zonat rurale, që shpesh bllokojnë rrjetin e kullimit, siç ndodhi në Shkozet, Gjirokastër dhe në disa zona të tjera.

“Nuk ka shumë për të bërë në lidhje me intensitetin e reshjeve, por ka elementë të kësaj situate që lidhen me njeriun dhe pamë sesi kjo situatë u ndërlikua ndër të tjera edhe nga papërgjegjshmëria e shumëkujt ndër ne e konsideron këtë vend si një landfill kudo ku ndodhet dhe hedh shishen e zbrazur të ujit apo qesen plastike dhe gjithë kjo sasi e madhe që hidhet rrugëve, ku këtu hyn edhe mungesa e një menaxhimi siç do të duhej të mbetjeve të konsumit familjar në territoret rurale, mblidhet dhe falë erës dhe ujërave vjen dhe bllokon pika kyçe të rrjetit të kullimit, siç ndodhi në Shkozet, në Gjirokastër e në disa pika të  tjera. Kur gjendemi përballë kësaj situate të agresionit të mbetjeve plastike, është drejtpërdrejtë ndikimi i njeriut në këtë situatë”, tha Rama.

Kryeministri bëri me dije se, për të adresuar këtë problematikë, do të ngrihet një Taskë Forcë e përbashkët mes pushtetit vendor dhe atij qendror, për të konceptuar një plan me 3 faza.

“Duhet të angazhohemi për të ndërmarrë një ofensivë përbashkët në nivelin vendor dhe qendror që të rrisim ndjeshmërinë ndaj këtij faktori dhe që të krijojmë kushte për ta vënë nën kontroll këtë faktor kaq të rrezikshëm dhe të dëmshëm. Duhet të bëjmë çmos për ta penguar këtë lemeri papërgjegjshmërie qytetare. Ky është krim shqiptar. Për këtë duhet të marrim masa të shpejta dhe kjo është arsyeja pse i kam kërkuar ministrit të pushtetit vendor që të ngrejë një Task Forcë të përbashkët mes qeverisë dhe pushtetit vendor për të konceptuar një plan me 3 faza afat shkurtër, afat mesëm dhe afatgjatë të përbashkët, 360 nga sensibilizimi te veprimi në shumë dimensione”, theksoi ai.

Kryeministri nënvizoi se rezistenca e infrastrukturës mbrojtëse është rritur ndjeshëm në 10 vitet e fundit, por shtoi se megjithatë emergjenca e fundit ka treguar pika të dobëta që kërkojnë ndërhyrje. Për këtë arsye, ai tha se qeveria ka mbështetur propozimin e Ministrit Demo për të përdorur një fond prej 20 milionë eurosh, të siguruar nga Emiratet e Bashkuara, për blerjen e mjeteve të posaçme që do të shërbejnë për pastrimin e kanaleve kulluese dhe forcimin e argjinaturave.

Kjo flotë e re do të vihet në dispozicion të bashkive sipas qarqeve, duke u përqendruar në zonat ku ka emergjenca, ndërsa në ditët normale do të shërbejë si forcë e shtuar për mirëmbajtjen e rrjetit të kullimit dhe infrastrukturës mbrojtëse.

“Rezistenca e infrastrukturës mbrojtjes është rritur në mënyrë shumë domethënëse në 10 vitet e fundit, por analiza e bërë edhe nga kjo emergjencë tregon se ka pika ku rezistenca është më e dobët dhe për këtë arsye duhet të vendosim me shumë saktësi piketat për të forcuar më tej infrastrukturën mbrojtëse dhe për të adresuar të gjitha ato aspekte që kanë të bëjnë me fuqizimin e ndërveprimit mes pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore. Një nga gjërat që ka propozuar Ministri Demo dhe që ka gjetur mbështetjen tonë është që me një fond të siguruar nga miqtë tanë të Emirateve të Bashkuara prej 20 mln euro në mbështetje të zhvillimit rural, të blejmë një sasi domethënëse mjetesh që të vendosen në shërbim të kullimit, pastrimit të gjithë kanaleve kulluese kryesore dhe që të funksionojnë sipas nevojave të bashkive. Të krijojmë një logjistikë që të jetë në funksion të bashkive sipas qarqeve. Kjo flotë mund të përqendrojë më shumë forca diku ku ka situatë emergjence. Në ditët normale do jetë një forcë e shtuar për të gjitha bashkitë sipas sasisë së kanaleve për tu pastruar e mbajtur dhe për të adresuar problemin e argjinaturave”, deklaroi kryeministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme