Përplasja për seancën e Kuvendit, Balla i përgjigjet PD-së: Bojkoti është kundër interesave të vendit, rezoluta për Iranit është kërkesë e partneritetit me SHBA

Politikë | 7 muaj më parë

Vendimi i Partisë Demokratike për të bojkotuar seancën plenare të së martës ka shkaktuar reagimin e menjëhershëm të mazhorancës. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, e ka cilësuar bojkotin si të dëmshëm dhe ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se mbledhja e Kuvendit është thirrur në shkelje të procedurave apo për agjenda personale.

Përmes një deklarate publike, Balla sqaroi se thelbi i seancës së 17 marsit është një çështje e rëndësisë kombëtare dhe gjeopolitike.

Rezoluta kundër Iranit: “Rreshtim krah SHBA-së”

Sipas Ballës, arsyeja kryesore e mbledhjes është shqyrtimi i një projekt-rezolute të propozuar nga socialistët “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”.

Ai kritikoi qëndrimin e PD-së, që e kishte cilësuar agjendën e Kuvendit si “personale”.

“Sipas tyre nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA-së ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale. Seriozisht e mendoni këtë, apo ta kuptojmë si një lapsus?!” theksoi Balla, duke i bërë thirrje opozitës të reflektojë. Ai paralajmëroi se detajet mbi urgjencën e kësaj rezolute do të jepen në Konferencën e Kryetarëve para nisjes së seancës.

Balla hedh poshtë akuzat për shkelje të Rregullores

Kreu i grupit socialist iu përgjigj gjithashtu akuzave procedurale të opozitës. Partia Demokratike pretendoi më herët se seanca ishte thirrur jashtë ditës normale (të enjtes) dhe pa një rend dite të shpallur zyrtarisht. Balla e cilësoi këtë si një “gënjeshtër”, duke argumentuar se gjithçka është e dokumentuar në procesverbalet publike.

“Seanca e nesërme, ditën e Martë 17 Mars 2026, është propozuar në Konferencën e Kryetarëve të datës 18 Shkurt 2026 dhe miratuar me vendim të Seancës Plenare, pra një muaj më parë,” saktësoi ai.

Në mbyllje të reagimit të tij, Balla ngriti dyshime mbi motivet e vërteta të bojkotit, duke lënë të kuptohet se vendimi nuk është marrë në mënyrë të pavarur nga vetë deputetët demokratë.

“Kush ju ka urdhëruar të bojkotoni nesër seancën, nuk jua dashka të mirën ju dhe Shqipërisë,” përfundoi ai.

Ky reagim vjen fill pas deklaratës së Grupit Parlamentar të PD-së, të cilët njoftuan bojkotimin e seancës me argumentin se Parlamenti është kthyer në një “fasadë për propagandën e qeverisë”. Opozita theksoi se në vend të Kuvendit, do të fokusohet te takimet me qytetarët dhe mobilizimi për protestën e paralajmëruar të 22 marsit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme