Petrit Beci: Legjislacioni për institucionet publike duhet të jetë më efikas, përballet me mungesë pajisjesh dhe amortizim të lartë teknologjik

Aktualitet | 4 muaj më parë

Nënkryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizioni Shqiptar, Petrit Beci, gjatë një raportimi në Komisionin për Mjetet e Informimit Publik, ka ngritur shqetësime lidhur me efikasitetin e legjislacionit që rregullon funksionimin e institucioneve publike, si dhe sfidat teknologjike dhe financiare me të cilat përballet RTSH.

Në fjalën e tij, Beci theksoi se kuadri ligjor aktual është i ngurtë dhe nuk u përgjigjet nevojave reale të institucioneve publike, duke sjellë vonesa në procedura dhe vështirësi në realizimin e investimeve dhe tenderimeve.

“Legjislacioni është shumë i ngrirë. Ka raste kur tenderë esencialë nuk realizohen për periudha të gjata kohore, ndonëse janë të domosdoshëm për funksionimin e institucionit. E njëjta problematikë vërehet edhe në sektorë të tjerë si arsimi dhe shëndetësia, ku kuadri ligjor mbetet shpeshherë më shumë liberal sesa efikas për institucionet publike”, u shpreh Beci.

Ai shtoi se puna e realizuar gjatë vitit aktual përbën një bazë fillestare të rëndësishme, por sipas tij, pa mbështetjen e nevojshme ligjvënëse dhe institucionale, reformat nuk mund të japin efekt të plotë.

“Puna e bërë gjatë këtij viti është një bazë fillestare e mirë, por pa pwrkrahjen tuaj si legjislativ, shumë procese nuk mund të ecin përpara me ritmin e duhur”, theksoi ai.

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga nënkryetari i Këshillit Drejtues lidhet me gjendjen teknike dhe amortizimin e pajisjeve në RTSH, të cilat sipas tij kanë kaluar çdo afat përdorimi teknologjik.

“Amortizimi i pajisjeve është mbi 1000%. Mjetet televizive, pavarësisht ndryshimeve të teknologjisë, kanë një cikël jetësor shumë më të shkurtër. Sot kemi pajisje që janë mbi 15 vjet të vjetra, të cilat kanë tejkaluar çdo standard funksional”, deklaroi Beci.

Ai theksoi gjithashtu se RTSH disponon disa studio funksionale, përfshirë edhe studion kryesore, por mungesa e pajisjeve moderne kufizon ndjeshëm kapacitetin prodhues dhe cilësinë e transmetimeve.

“RTSH ka katër studio dhe studion e madhe. Ato kanë qenë në punë, por mungojnë pajisjet. Nuk ka fonde të mjaftueshme për të blerë teknologji të re. Na kërkohet të bëjmë më shumë, por pa mjetet e nevojshme kjo është shumë e vështirë”, u shpreh ai.

Beci u ndal edhe te nevoja për transformim të plotë teknologjik dhe profesional, duke theksuar se ndryshimet nuk lidhen vetëm me pajisjet, por edhe me mënyrën e funksionimit të institucioneve dhe aftësimin e stafit.

“Sot nuk mjafton vetëm reduktimi i numrit të punonjësve apo ulja e kostove. Duhet trajnim i stafit dhe përshtatje me ndryshimin e madh teknologjik. Marketingu në sistemet analoge është krejt ndryshe nga ai në sistemet digjitale dhe në epokën e rrjeteve sociale”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme