Plagosje me armë zjarri në Kavajë, policia prangos autorin dhe bashkëpunëtorin pas 3 orësh ndjekje

Një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar me përdorimin e armës së zjarrit mbrëmjen e djeshme në Kavajë, duke lënë të plagosur një 39-vjeçar. Falë një operacioni të shpejtë nga Policia e Kavajës dhe forcat operacionale të Durrësit, u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar, si dhe i personit që e ndihmoi atë të largohej nga vendngjarja.
Rreth orës 20:30 të datës 22 mars, në lagjen nr. 6 të qytetit të Kavajës, shtetasi P. M., 42 vjeç, dyshohet se ka plagosur me pistoletë shtetasin me iniciale B. D., 39 vjeç. I plagosuri u transportua menjëherë drejt spitalit të Durrësit dhe sipas bluzave të bardha, fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Kavajës në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda organizuan punën për lokalizimin e autorit, i cili ishte larguar me shpejtësi nga vendi i krimit.
Arrestimet në Durrës
Pas rreth tre orësh kërkime dhe ndjekjeje operacionale, Policia arriti të lokalizonte autorin në lagjen 17/1 në Durrës. Në pranga ranë P. M., 42 vjeç autori i dyshuar banues në Kavajë, i cili akuzohet për plagosjen.
A. Ç., 35 vjeç, gjithashtu banues në Kavajë, i cili dyshohet se ka transportuar autorin me automjet drejt Durrësit për t’i shpëtuar arrestimit.
Sekuestrimi i provës materiale
Gjatë kontrolleve të imtësishme përgjatë itinerarit të largimit, shërbimet e Policisë bënë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit (pistoletë), të cilën autori e kishte hedhur gjatë rrugës. Arma do t’i nënshtrohet ekspertizës balistike si provë kyçe për dokumentimin ligjor të ngjarjes.
“Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore,” njoftoi zyrtarisht Policia e Shtetit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



