“Po pengohej zhvillimi normal i procesit mësimor”, Policia ndërhyn në Universitetin e Vlorës, shoqërohen 6 persona

Policia e Vlorës ka ndërhyrë ditën e sotme në ambientet e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, pas njoftimit se një grup prej 30–40 personash po pengonte zhvillimin normal të procesit mësimor. Gjashtë persona janë shoqëruar në polici, të dyshuar si organizatorë të grupimit.
Sipas reagimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, njoftimi është marrë rreth orës 11:51 nga administratori i universitetit, i cili ka raportuar praninë e grupit në katin e parë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike.
Pas mbërritjes në fakultet, efektivët kanë ndërhyrë për normalizimin e situatës, duke nxjerrë nga godina personat që, sipas policisë, pengonin zhvillimin e mësimit dhe pjesëmarrjen e studentëve në leksione.
Në vijim, gjashtë shtetas janë shoqëruar në ambientet e policisë, ndërsa vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
REAGIM I DREJTORISË VENDORE TË POLICISË VLORË
Në lidhje me disa video të publikuara në rrjetet sociale, ku shfaqen punonjës të Policisë në ambientet e brendshme të Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, sqarojmë se:
Rreth orës 11:51, administratori i Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, ka njoftuar Sallën Operative të DVP Vlorë për praninë e një grupi prej 30–40 personash, të moshave të ndryshme, të cilët po pengonin zhvillimin normal të procesit mësimor, në katin e parë të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në ambientet e fakultetit dhe kanë ndërhyrë për normalizimin e situatës, duke nxjerrë jashtë godinës personat që pengonin zhvillimin normal të procesit mësimor dhe studentët të ndiqnin leksionet në auditore.
Në vijim të veprimeve, janë shoqëruar në ambientet e Policisë 6 shtetas, të dyshuar si organizatorë të këtij grupimi.
Policia vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



