“Po zhvillohet turizmi i seksit”, drejtuesja e shoqatës së personave me HIV-AIDS: Kërkohet strategji edhe për këtë sektor
Turizmi në Shqipëri shënon shifra impresionuese të rritjes, por pas tij po lulëzon më shpejtësi edhe turizmi i seksit.
Të huajt po e shfrytëzojnë vendin tonë edhe si një destinacion seksi, ku oferta vjen si nga shqiptarët, ashtu edhe nga punonjëset e huaja.
“Në bulevardet dhe rrugët, kudo që të ecësh, shikon qytetare të huaja dhe kryesisht femra në moshë të re apo edhe në moshë madhore, që presin klientë. Pra, të vetofrohen. Ky është një shqetësim shumë i madh që kemi ne. Përpos legjislacionit që e ndalon punën e seksit në Shqipëri, jo vetëm për ato që e ofrojnë, por edhe për klientët që e marrin shërbimin, ne çalojmë tek pjesa e zbatimit të këtij legjislacioni. Sot kemi sajte të caktuara, linja të caktuara. Ata kanë krijuar network-un e vet të informimit dhe e kanë lehtësisht të gjetshëm një partner për punë seksuale,” tregon Olimbi Hoxhaj, drejtore ekzekutive e shoqatës së personave me HIV-AIDS.
Ajo thotë për RTSH se fenomeni është i maskuar nën petkun e një kontrate pune.
“Në përgjithësi punësohen nëpër hotele në pozicione shumë të ulëta, pra, kryesisht në pjesën e shërbimit, pastrimit, nëpër restorante dhe hotelet. Pastaj gjatë kohës tjetër, pas punës shfrytëzojnë pjesën e punës seksuale. Ajo që vërejmë ne është se nuk janë vetëm grupmosha të reja, por edhe grupmosha të rritura. Kanë një familje diku në një vend tjetër të botës dhe vijnë, gjejnë si treg Shqipërinë meqenëse është rritur numri i turistëve, dhe e ofrojnë punën e seksit në këmbim të një pagese monetare,” shton znj. Hoxhaj.
Kjo situatë po sjell pasoja të rënda në shëndetit publik, ku shifrat e HIV-AIDS po rriten, duke e renditur Shqipërinë në vendin e parë në rajon.
“Nëse do të shohim të dhënat e fundit zyrtare, Shqipëria mban vendin e parë në rajon për numrin e lartë të rasteve të diagnostikuara me HIV në krahasim më numrin e testimeve dhe popullatën. Ky është një alarm shumë i madh. Ne po shkojmë në vitin 2030, që është objektivi i stopimit të epidemisë së AIDS-it, ndërkohë që shifrat tek ne flasin të kundërtën. Kemi rritje të vdekshmërisë, ndërkohë që objektivi është që të ulet vdekshmëria me 40%,” thekson znj. Hoxhaj.
Shqipëria nuk ka një strategji për turizmin e seksit të inkorporuar në strategjinë kombëtare të turizmit dhe kjo ka lënë shumë hapësira për abuzime.
“Nuk kemi promocion shëndetësor në pikat e kalimit. Ne duhet të kemi informacion për çdo shtetas të huaj që hyn në Shqipëri për pjesën e legjislacionit shqiptar. Njëkohësisht kemi shumë pak informacion të detajuar në hotele apo qendra pritëse, qoftë edhe një tabelë paralajmëruese që në Shqipëri ndalohet puna e seksit. Punonjësit e hoteleve duhet të jenë të ndërgjegjësuar dhe të trajnuar që të raportojnë çdo rast,” thotë znj. Hoxhaj.
Turizmi është mundësi për zhvillim, por pas çdo historie të turizmit seksual fshihet një njeri, një jetë, një plagë.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




