Policia e Shtetit apel qytetarëve: Kujdes nga mesazhet mashtruese për gjobat rrugore. Mos vendosni të dhëna personale

Aktualitet | 9 muaj më parë

Policia e Shtetit ka bërë apel qytetarëve për kujdes që të mos bien pre e mashtrimeve të disa faqeve që imitojnë Policinë e Shtetit dhe kërkojnë pagesa të rreme për gjoba automjetesh.

Sipas Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik, lidhjet e dërguara përmes këtyre mesazheve çojnë në një faqe interneti të rreme, e cila në pamje të parë duket si faqe zyrtare, duke përdorur stemën e Policisë së Shtetit, imazhe të godinës së Drejtorisë së Përgjithshme dhe elemente grafike që imitojnë shërbimet emergjente.

Nëpërmjet kësaj faqeje, qytetarëve fillimisht u kërkohet të konfirmojnë identitetin duke vendosur numrin e telefonit, më pas numrin e targës së automjetit dhe në fazën e fundit të plotësojnë të dhënat bankare, me pretendimin e kryerjes së pagesës së gjobës.

Policia e Shtetit sqaron se kjo faqe nuk është faqe zyrtare, pasi përdor një adresë interneti të rreme (domain: aspalgov.cyou), e cila nuk i përket asnjë institucioni shtetëror.

Policia sqaron se kjo faqe nuk është zyrtare dhe përdor një adresë interneti të rreme, e cila nuk i përket asnjë institucioni shtetëror. Ky rast përbën një tentativë mashtrimi kibernetik (phishing), me qëllim përfitimin e paautorizuar të të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve, duke i ekspozuar ata ndaj rrezikut të humbjeve financiare dhe abuzimit me identitetin.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik u bën thirrje qytetarëve të mos klikojnë në lidhje të dyshimta, të mos vendosin të dhëna personale apo bankare në faqe jozyrtare dhe të kenë parasysh se Policia e Shtetit nuk kërkon pagesa gjobash apo konfirmim identiteti përmes SMS-ve.

Në rast dyshimi apo mashtrimi, qytetarët ftohen të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit. Autoritetet theksojnë se mbeten të angazhuara për parandalimin dhe ndjekjen penale të autorëve të këtyre mashtrimeve në hapësirën digjitale.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme