Policia e Tiranës parandalon ngjarje kriminale: Arrestohet 37-vjeçari me eksploziv, armë zjarri dhe maskë silikoni

Aktualitet | 6 muaj më parë

Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Kontigjenti”, duke parandaluar një ngjarje të mundshme kriminale kundër personit dhe pronës.

Sipas njoftimit të bërë publik, policia deklaron se ka parandaluar një ngjarje kriminale si dhe ka zbardhur dy ngjarje të tjera, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga një 37-vjeçar.

Si rezultat i ndjekjes policore, u arrestua një 37-vjeçar me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i cili kishte siguruar lëndë eksplozive, lëndë djegëse, armë zjarri dhe një motomjet të dyshuar të vjedhur.

Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Rënda. Gjatë kontrolleve, policia i bëri shenjë ndalimi motomjetit pa targa me të cilin lëvizte i dyshuari P. D., banues në Paskuqan. 37-vjeçari nuk iu bind urdhrit dhe tentoi të largohej me shpejtësi, por u kap në afërsi të liqenit të Paskuqanit.

Në momentin e ndalimit, ai kishte vendosur një maskë silikoni për të fshehur identitetin. Gjatë kontrollit fizik dhe të motomjetit, policia gjeti sasi lënde eksplozive gati për shpërthim, 10 litra lëndë djegëse, një armë zjarri pistoletë me municion, si dhe motomjetin e dyshuar të vjedhur.

Hetimet e mëtejshme kanë zbuluar se i arrestuari dyshohet për dy ngjarje kriminale të ndodhura në tetor 2025: më 3 tetor ka qëlluar me armë zjarri drejt banesës së një shtetasi në Paskuqan dhe më pas ka djegur automjetin e përdorur; më 17 tetor ka hedhur lëndë plasëse në një tjetër banesë, duke shkaktuar dëme materiale.

Policia e Tiranës, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm të 37-vjeçarit dhe për zbardhjen e ngjarjeve të tjera ku ai mund të jetë i përfshirë. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Operacioni “Kontigjenti” konsiderohet një sukses i rëndësishëm në garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe parandalimin e akteve kriminale me pasoja të rënda.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme