Policia e Tiranës për videon e personave të neutralizuar: Jo në komisariat. Civilët? Punonjës të Policisë Kriminale. Në QS protestues të maskuar

Aktualitet | 3 orë më parë

Policia e Tiranës ka reaguar pas publikimit të disa videove nga protesta e 15 tetorit, ku shfaqen persona të neutralizuar nga efektivët dhe të shtrirë në tokë, si dhe pamje të shoqërimit të një personi nga disa individë me rroba civile. Në reagimin zyrtar, policia ka dhënë versionin e saj për ngjarjet, duke mohuar përdorimin e dhunës me urdhër, pretendimet për përdorimin e kavove metalike dhe lajmet për dorëheqje të efektivëve.

Lidhur me videon ku shfaqen disa persona të shtrirë në tokë, Policia e Tiranës sqaron se ata nuk ndodheshin në dhomat e shoqërimit të komisariateve apo në ambientet e bllokut të sigurisë, por në momentin e neutralizimit të tyre në flagrancë, në një institucion shtetëror ku, sipas policisë, po tentonin të hynin dhe po sulmonin punonjësit e rendit. Pas këtij momenti, ata janë shoqëruar në komisariat.

“Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale, Policia e Tiranës sqaron opinionin publik se:
Personat e shfaqur në videon e publikuar në media nuk janë në dhomat e shoqërimit në komisariate apo në dhomat e bllokut të sigurisë, por janë në momentin e parë të neutralizimit në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në një nga institucionet shtetërore ku tentonin të hynin dhe ku po sulmonin punonjësit e Policisë. Më pas, ata janë shoqëruar në komisariat nga shërbimet e Policisë”, njoftoi policia mbrëmjen e së enjtes.

Policia ka sqaruar gjithashtu videon ku një person shfaqet duke u shoqëruar nga disa individë me rroba civile, për të cilët në rrjetet sociale është pretenduar se kishin marrë me forcë një grua. Sipas policisë, personi në fjalë është mashkull dhe shoqërimi është kryer nga punonjës të Policisë Kriminale, në kuadër të identifikimit të personave të dyshuar për përfshirje në veprime të kundërligjshme gjatë protestës.

Sipas autoriteteve, personi dyshohet se drejtonte protestuesit dhe godiste me zare metalikë punonjësit e policisë dhe institucionet.

Një tjetër çështje e trajtuar në reagim është ajo e kavove metalike të publikuara në media, për të cilat është pretenduar se janë përdorur nga efektivët. Policia deklaron se këto mjete u janë sekuestruar paraditen e 15 tetorit katër të rinjve të maskuar, të cilët, sipas saj, po shkonin në protestë për të goditur protestuesit.

Policia ka bërë të ditur edhe një episod tjetër të ndodhur mbrëmjen e 15 tetorit, kur një grup protestuesish të maskuar dyshohet se kanë shkuar në Qendrën Studentore, në Qytet Studenti, dhe kanë thyer xhamat dhe dyert e godinave. Sipas policisë, janë kryer veprimet procedurale dhe vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në reagim, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë mohon gjithashtu pretendimet se efektivë të policisë kanë dhënë dorëheqjen apo se ekziston një urdhër për ushtrimin e dhunës ndaj personave të shoqëruar.

Policia shprehet se respekton të drejtën për të protestuar në mënyrë paqësore dhe u bën thirrje pjesëmarrësve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, të cilët, sipas saj, kanë sulmuar punonjësit e rendit, institucionet shtetërore dhe pronën publike e private.

Sipas bilancit të bërë publik nga policia, gjatë protestës së 15 tetorit janë dëmtuar 22 punonjës policie. Po ashtu, janë shkaktuar dëme në institucione, objekte private dhe bankare, si dhe në sinjalistikën rrugore.

REAGIMI I DREJTORISË VENDORE TË POLICISË TIRANË
Në lidhje me disa video të publikuara në rrjetet sociale, ku pretendohet se disa civilë kanë shoqëruar me forcë një shtetase, Policia e Tiranës sqaron se personi i shoqëruar është mashkull dhe jo femër.

Shoqërimi është kryer nga punonjës të Policisë Kriminale, në kuadër të veprimeve të ndërmarra për identifikimin dhe shoqërimin e personave të dyshuar për përfshirje në veprimet e kundërligjshme gjatë protestës, pasi dyshohet se ky shtetas drejtonte tubuesit dhe gjuante me zare metalikë punonjësit e Policisë dhe institucionet.

Gjithashtu, në lidhje me pretendimet e publikuara në rrjetet sociale se punonjësit e Policisë kanë përdorur kavo metalike, Policia e Tiranës bën me dije se kavot e publikuara në media u janë kapur paraditen e datës 15.10.2026 katër të rinjve të maskuar, të cilët po shkonin në protestë për të goditur protestuesit. Policia e Tiranës nuk përdor të tilla mjete, pasi llojet e mjeteve që përdor janë të standardizuara me ligj dhe procedura standarde.

Ndërkohë, sqarojmë se një grup protestuesish të maskuar, në orët e mbrëmjes së datës 15.10.2026, kanë shkuar në Qendrën Studentore dhe kanë thyer xhamat dhe dyert e godinave të Qendrës Studentore në Qytet Studenti. Policia ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Njëkohësisht, sqarojmë opinionin publik se asnjë punonjës policie nuk ka dhënë dorëheqjen dhe nuk ka asnjë urdhër për ushtrimin e dhunës ndaj personave të shoqëruar.

Policia e Tiranës shpreh keqardhjen për përhapjen e këtyre lajmeve dashakeqe, me qëllim krijimin e një klime konfliktuale mes Policisë dhe protestuesve. Policia e Tiranës respekton dhe garanton të drejtën për të protestuar paqësisht dhe u bën apel pjesëmarrësve në tubime të distancohen nga personat e dhunshëm dhe të maskuar, të cilët po sulmojnë punonjësit e Policisë, institucionet shtetërore dhe pronën publike e private.

Gjatë tubimit të datës 15.10.2026, si pasojë e dhunës, janë dëmtuar 22 punonjës policie. Gjithashtu, janë dëmtuar institucione, objekte private dhe bankare, si dhe është dëmtuar sinjalistika rrugore.

Policia e Tiranës po vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave që kanë kryer akte dhune.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme