Presidentja maqedonase Siljanovska-Davkova: Siguria rajonale e qëndrueshme, Serbia ka një sërë problemesh serioze

Maqedonia e Veriut | 1 vit më parë

Maqedonia e Veriut nuk sheh probleme serioze me sigurinë në rajon, edhe pse i vëren me shqetësim tensionet e vazhdueshme në Bosnjë-Hercegovinë, krizën politike në Kosovë dhe Serbi.

Presidentja maqedonase Gordana Siljanovska-Davkova mblodhi të premten Këshillin e Sigurisë për më shumë se dy orë e gjysmë, duke e fokusuar takimin te “dilemat e sigurisë në botë”, që “shqetësojnë të gjitha shtetet, përfshirë edhe vendin tonë”.

“Përfundimi ishte se, megjithatë, siguria rajonale është e qëndrueshme dhe nën kontroll në vend, dhe nuk priten probleme dhe dilema sigurie. Tema kryesore e diskutimit ishte situata në rajon, ajo që po ndodh në Bosnjë-Hercegovinë, ku shpesh dëgjojmë retorikë secesioniste, kriza institucionale në Kosovë për shkak të pamundësisë për të konstituuar organet, si dhe në Serbinë fqinje ku ka një sërë problemesh serioze. Megjithatë, nga argumentet, nga të dhënat që kemi, përfundimi është se, megjithatë, pavarësisht këtyre problemeve dhe sfidave, ato nuk pritet të reflektojnë në situatën e sigurisë në Maqedoni,” tha presidentja Siljanovska-Davkova.

Këshilli i Sigurimit mësohet se trajtoi edhe agjendën e integrimit europian që po ndjek vendi, situatën në Lindjen e Mesme dhe zjarret që janë përhapur javët e fundit në vend.

Duke u ndalur te pasojat e zjarreve, kryetarja e shtetit maqedonas tha se vatrat e nxehta aktualisht janë nën kontroll falë ndihmës së institucioneve vendore dhe europiane, por autoritetet kanë dyshime se mund të jenë ndezur me qëllim.

“Ajo që është shqetësuese, është por megjithatë, kuptohet se gjithçka është në procedurë parahetimore, se një numër i madh i zjarreve nuk janë për shkak të temperaturave të larta, por se ka baza të dyshimit se janë shkaktuar qëllimisht, megjithatë kuptohet, derisa bëhet fjalë për procedurë parahetimore, këto janë vetëm dyshime. Nga Qeveria informuan për sistemin në të cilin punojnë, sistem të parandalimit, përmes të cilit me ndihmën e kamerave dhe dronëve, saktë do të lokalizoheshin rreziqet por edhe kryerësit dhe treguan një varg masash që në të ardhmen do t’i zbatojnë. Sot gjithashtu u propozua një projekt i ri, Sistem i Integruar Bashkëkohorë Informativ për mot të ligë te ne, me ndihmën e inteligjencës artificiale, me ndihmën e llogarive, me të vërtet paraprakisht mund të parashikojmë një varg situatash,” deklaroi znj. Siljanovska-Davkova. /Alsat, Zhurnal

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme