Problematikat nga reshjet/ Bllokohet aksi Gjirokastër-Kakavijë, në Kurbin evakuohen 8 familje. Në Selenicë rrëshket rruga

Aktualitet | 9 muaj më parë

Reshjet e shiut kanë shkaktuar problematika të shumta në disa qarqe të vendit, duke sjellë bllokime rrugësh nga inertet dhe rrëshqitjet e dheut, përmbytje të banesave dhe tokave bujqësore, rrezik për ura dhe rezervuarë, si edhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona. Situata më problematike paraqitet në Gjirokastër dhe Lezhë, ku strukturat përgjegjëse janë në terren për menaxhimin e emergjencës dhe monitorimin e vazhdueshëm të gjendjes.

Në qarkun Gjirokastër janë regjistruar bllokime të akseve rrugore dhe prani të konsiderueshme inerteve në qytet, ndërkohë, në qarkun e Lezhës përmbytjet kanë prekur zona urbane dhe rurale, duke sjellë evakuime familjesh, sipërfaqe të mëdha toke nën ujë dhe banesa të rrethuara nga uji.  

Qarku Gjirokastër

Në Qarkun Gjirokastër, aksi nacional Gjirokastër–Kakavijë është bllokuar në zonën e Kordhocës, përballë fshatit Lazarat, për shkak të prurjeve të inerteve. Po punohet për hapjen e rrugës për qarkullim.

Po ashtu, i bllokuar është edhe aksi Gjirokastër–Valare, në vendin e quajtur Ura e Aznakut.

Në pjesën më të madhe të qytetit të Gjirokastrës ka prezencë të konsiderueshme inerte, që kërkojnë mjete të rënda për largimin e tyre. Reshjet e shiut kanë ulur për momentin intensitetin.

Niveli i lumit Vjosë në Memaliaj ka arritur në 6.5 metra. Nga bashkitë e tjera të qarkut nuk raportohen situata emergjente.

Nënstacioni Gjirokastër e Vjetër vijon të ketë prezencë të lartë uji, ndërsa fiderat Kardhiq, Lunxhëri dhe Lazarat janë të stakuara. Autoritetet bëjnë me dije se pas uljes së nivelit të ujit do të nisë rikthimi i energjisë elektrike.

Qarku Kukës

I gjithë territori i Qarkut Kukës vazhdon të përfshihet nga reshjet e shiu duke rritur riskun për rrugët dhe urat. Aktualisht të gjitha rrugët nacionale janë të qarkullueshme.

Në bashkinë Kukës mbetet problematike Ura e fshatit Orgjost, pasi njëra këmbë mbajtëse është dëmtuar. Vijojnë të jenë të bllokuara segmenti rrugor i Njësisë Administrative Zapod, si dhe rrugët Cërnalevë dhe Oreshkë.

Në bashkinë Has problematikë mbetet rezervuari Helshan 2, poshtë të cilit ndodhet një objekt shkollor.

Furnizimi me energji elektrike mungon në Njësitë Administrative Zapod, Shishtavec dhe Topojan, ndërsa uji i pijshëm furnizohet sipas orareve të përcaktuara nga DRUK Kukës.

Qarku Lezhë

Në Lezhë dhe Kurbin uji është tërhequr nga shumica e zonave urbane, ndërsa ka rënie të nivelit të lumenjve Drin dhe Gjadër, por ende mbeten në nivele të larta.

Në Kurbin janë evakuuar rreth 8 familje, ndërsa në të gjithë qarkun raportohen rreth 2600 hektarë tokë të përmbytur dhe 150 banesa të rrethuara nga uji.

Në bashkinë Lezhë janë asistuar disa familje në Shëngjin dhe Balldren, si dhe biznese pranë Urës së Cenit, ku janë vendosur thasë me rërë për mbrojtje nga uji. Për zhvillimin e procesit mësimor pritet një njoftim në vijim.

Qarku Vlorë

Në fshatin Vajzë të bashkisë Selenicë, rruga ka rrëshqitur si pasojë e reshjeve të dendura, duke u bërë e pakalueshme për automjetet. Dy banesa janë dëmtuar, por fatmirësisht banorët nuk kanë pësuar lëndime. Policia ndodhet në terren dhe monitoron qarkullimin, pasi rruga lidh disa fshatra të njësisë administrative Sevaster.

Ndërkohë, lumi Vjosë ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur pazarin e gjësë së gjallë, me nivel uji që ka arritur rreth 7 metra. Si masë parandaluese, janë evakuuar 12 banesa, ndërsa prurjet e lumit vijojnë të jenë të larta dhe situata monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga autoritetet.

Qarku Shkodër

Në Bashkinë Shkodër, ka prani të ujit në disa toka bujqësore dhe oborre banesash. Në zonën e Obotit, rruga kryesore ka prezencë uji rreth 30–40 cm, duke lejuar qarkullimin vetëm për mjete të larta.

Në Bashkinë Vau i Dejës, përroi i Glinës dhe përroi i Gjadrit kanë shënuar rënie të nivelit të ujit, ndërsa situata monitorohet nga strukturat e Emergjencave Civile. Në Njësinë Administrative Bushat, në fshatrat Mal i Jushit dhe Hoten, rreth 15 familje janë të bllokuara nga uji, ndërsa autoritetet lokale ndjekin nga afër situatën.

Në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz, reshjet e fundit kanë shkaktuar shkarje dherash, rënie gurësh dhe prezencë uji në disa akse auto-rurale. Rrugët mbeten të hapura për qarkullim dhe po punohet për pastrimin dhe rikthimin e situatës në normalitet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme