Probleme në trafikun ajror në Itali, anulohen disa fluturime nga dhe drejt Tiranës

Disa fluturime nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës janë anuluar gjatë ditës së sotme, për shkak të problemeve teknike në sistemet e kontrollit të trafikut ajror në Itali. Lajmi është bërë i ditur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, i cili njofton se anulimet kanë prekur disa linja ajrore që lidhin kryeqytetin shqiptar me qytete të ndryshme italiane.
Sipas njoftimit zyrtar, fluturimet e prekura janë ato drejt dhe nga Milano (Malpensa), Torino, Verona, Pisa, Rimini dhe Gjenova. Anulimet kanë ardhur si pasojë e kufizimeve të vendosura në hapësirën ajrore italiane.
Aeroporti i Tiranës bën me dije se është në koordinim me kompanitë ajrore dhe autoritetet përkatëse për të ndjekur situatën dhe për të minimizuar ndikimin te pasagjerët.
Në njoftim, aeroporti u bën thirrje të gjithë pasagjerëve që kanë planifikuar të udhëtojnë drejt ose nga Italia që të kontrollojnë rregullisht njoftimet e kompanive ajrore, për të marrë informacionin më të fundit mbi statusin e fluturimeve të tyre.

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



