Shtohen rastet me probleme të shëndetit mendor gjatë verës, mjekja: Po ulet edhe mosha e personave të prekur

Shëndet | 1 vit më parë

Edhe pse vera shihet shpesh si stina e pushimeve dhe relaksit, për shumë njerëz ajo mund të sjellë përkeqësim të gjendjes emocionale dhe shtim të problemeve të shëndetit mendor.

Mjekja psikiatre Nikolina Bode bën me dije se nxehtësia ekstreme ndikon në gjumin cilësor, duke sjellë lodhje, irritim dhe rritje të ankthit.

“Vera, duke qenë me temperatura të larta, jonormale për qytetin tonë, ka dhënë shqetësime në popullatë në lidhje me çrregullime të hershme ose të para të simptomave të shëndetit mendor, të simptomave të pagjumësisë, të humorit, të ankthit, çrregullime somatoforme, anergji apo edhe psikoza të mirëfillta. Të shpeshta kanë qenë edhe rastet me relaps te të sëmurët kronikë, ku kemi pasur akutizim të simptomave psikiatrike”, thotë mjekja.

Për mjeken, shqetësues është fakti që po ulet mosha e shfaqjes së këtyre problemeve.

“Te mosha adoleshente, fëmijët dhe të rinjtë… Një person që edukohet me rrjetet sociale dhe krijon varësi nga to, bëhet pjesë e çrregullimeve sjellore dhe të personalitetit, pse jo edhe të problemeve të mëvonshme të shëndetit mendor”, nënvizon ajo.

Mjekët psikiatër këshillojnë kujdes të shtuar për shëndetin mendor në këtë periudhë, si ruajtjen e një rutine të qëndrueshme, shmangien e ekspozimit të tepërt në diell, aktivitet fizik të moderuar, si dhe kërkimin e mbështetjes profesionale kur simptomat bëhen të vështira për t’u menaxhuar.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme