Promovohet libri “Ibrahim Rugova, arkitekti i Pavarësisë së Kosovës”, Berisha: Pacifisti radikal që bashkoi shqiptarët
Në promovimin e librit “Dr. Ibrahim Rugova, Arkitekti i Pavarësisë së Kosovës”, ish-kryeministri Sali Berisha, njëherësh kreu i PD, solli një rrëfim emocional për figurën e ish-presidentit të Kosovës.
“Presidenti Ibrahim Rugova është një nga figurat më të ndritura të historisë tonë kombëtare të të gjithë kohërave. Dhe natyrisht të flasësh për veprimtarinë e Ibrahim Rugovës, duhet të zgjedhësh planin në të cilin do e trajtosh atë. Unë nuk do merrem me historinë, por do merrem me disa nga habitë e mëdha të këtij gjeniu të politikës shqiptare. Ishte maji i vitit 1992. Në Stamboll, në nismën e Detit të Zi takohem me kryeministrin e Greqisë, Konstandin Micotaqis, një njeri që kishte mbështetur PD në themelimin e saj, por që siç ishte trashëgimia 45-vjeçare e marrëdhënieve, natyrisht kishte edhe problematikat e veta.
Në bisedë e sipër më kërkoi të takoja patriarkun. Jo, i thashë unë, se ne jemi një vend plurireligjioz dhe nuk më shkon mua të bëj vizita përveçse Vatikani që është shtet, tek të tjerat unë respektoj pluralitetin fetar të vendit tim.Mirë, tha. Tani, kërkesa ime. Të presësh presidentin Ibrahim Rugova.
Po pse ta pres, më tha. Ta presësh se ai është themeluesi i partisë së parë antikomuniste në Ballkan dhe ti je një antikomunist i njohur. Dhe ky, i ndjerë tani, u bë kryeministri i parë që do priste presidentin Rugova në Selanik”, rrëfeu Berisha.
Berisha e cilësoi Rugovën si “shtetari i habive të mëdha”, i cili në një kohë kur pushka shihej si e vetmja rrugë, zgjodhi filozofinë e paqes. Sipas Berishës, arritja më e madhe e Rugovës ishte “uniteti i paprecedentë” i shqiptarëve të Kosovës, të cilët u bashkuan rreth projektit të tij për pavarësinë.
“Rugova arriti të krijojë një unitetit që Kosova kurrë nuk e ka pasur. Dhe ky ishte një unitet në projektin e tij, në projektin e pavarësisë së Kosovës, Kosovës së lirë dhe të pavarur. Rugova, në këtë projekt, kaloi nga një kancelari në një tjetër, nga një institucion në një tjetër, por me civilitetin dhe gandizmin e tij, ai do vlerësohej nga Parlamenti Europian me çmimin e madh të Saharov. Kjo ishte një mbështetje e jashtëzakonshme për popullin e Kosovës dhe personalitetin e Ibrahim Rugovës”, tha Berisha.
Gazetare: Rugova Dunisha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




