Protesta/Berisha: Pedagogët dëshmuan sot se janë intelektualë të vërtetë

Politikë | 34 minuta më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një mbledhjeje me drejtuesit e degëve të Tiranës, vlerësoi pjesëmarrjen e pedagogëve në protestë duke i cilësuar ata si “intelektualë të vërtetë” që i dhanë përgjigjen e merituar strategjisë së dhunës së qeverisë.

Berisha falënderoi të gjithë demokratët dhe mbështetësit që kanë kontribuar në atë që ai e quajti “revoltë historike e rinisë studentore dhe gjimnazistëve të Tiranës”. Sipas tij, dita e sotme shënoi një moment të rëndësishëm në këto protesta.

“Së pari dua të falënderoj shumë përzemërsisht, të shpreh vlerësimin tim më të madh për të gjithë ata demokrate e demokratë dhe mbështetës tanë, që kanë kontribuar dhe kontribuojnë në këtë revoltë historike të rinisë studentore dhe gjimnazistëve të Tiranës.

Edi Rama nxori fytyrën e vërtetë, por u garantoj se vetëm njërën prej fytyrave të tij më të shëmtuar se shpirti i tij katran dhe i zi është me kate të pafundme.

Shqiptarët do të marrin vesh, do të mësojnë se cili është karakteri i vërtetë i këtij bastardi të xhelatëve të diktaturës.

Dita e sotme ishte një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme në këtë revoltë.

Kam mirënjohjen më të pakufishme për të gjithë pedagoget dhe pedagogët e universiteteve, të cilët në mënyrën më të vendosur i dhanë përgjigjen më shkatërrimtare strategjisë së terrorit të kuq që ai shpalosi dje gjatë ditës me akte që Tirana i kishte parë ndonjëherë”, tha Berisha

Berisha akuzoi qeverinë se dje përdori “mercenarë të blerë” për të ushtruar dhunë ndaj të rinjve dhe qytetarëve. Ai tha se Rama beson verbërisht te dhuna dhe mendoi se me të do të qetësonte Tiranën, por sheshi i mbushur me pedagogë e studentë sot ishte përgjigja më dinjitoze.

“Edi Rama dje gjatë ditës, me mercenarë të blerë 2500 euro, që dëshmuan se janë të gatshëm të shesin shpirt, nder, dinjitet dhe çdo gjë për pesë lekë, u vërsul ndaj të rinjve, ndaj qytetarëve me një egërsi të paparë.

Ai mendoi se me atë dhunë të egër sot Tiranën do ta kishte të qetë.

Ai beson verbërisht tek dhuna.

Bastardi i xhelatëve të egër të diktaturës komuniste, i Kristaq Ramës që firmoste varjen e kundërshtarëve, i Spiro Kolekës, një xhelat i inteligjencës teknike të Shqipërisë, ai mbrëmë shpalosi një egërsi të paparë.

Nxori dhëmbët duke besuar se mund të mposhtë një rini” nënvizoi Berisha.

Berisha tha më tej se pedagogët dëshmuan sot se i përkasin kësaj kategorie, duke hequr mënjanë konformizmin dhe duke dalë në mbrojtje të studentëve në një moment kritik të protestave.

“Por sheshi plot i pedagogëve dhe studentëve sot ishte përgjigja më dinjitoze e këtyre grave dhe burrave fisnikë, intelektualë të vërtetë, që hoqën mënjanë mantelin e konformizmit dhe dolën në shesh të mejdanit me studentët e tyre. Ndaj dhe sot pedagogët e universiteteve dëshmuan veten intelektualë të vërtetë.

Në një moment kritik të revoltës studentore i dhanë përgjigjen më të merituar një dëshmi që dëshmon se për lëkurën e tij, për paratë e tij është i gatshëm të ndërmarrë çdo akt.”, shtoi Berisha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme