Protesta e dhunshme, Peleshi shtyn me një javë seancën plenare: Ju bëj thirrje për përmbajtje dhe reflektim
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar përmes një deklaratë lidhur me situatën e krijuar nga protesta në Tiranë dhe vendimin për shtyrjen e seancës plenare të planifikuar për sot.
Në deklaratën e tij, Peleshi thekson se, me përgjegjësinë për të garantuar një seancë të qetë ku çdo deputet të ushtrojë detyrën e tij kushtetuese dhe ligjore, përballë “një situate të paprecedentë dhune ndaj institucioneve të shtetit, pronës publike dhe pasurisë private të qytetarëve”, si dhe në dritën e të dhënave shqetësuese nga institucionet ligjzbatuese për skenarë që cenojnë rendin dhe sigurinë publike, vendosi ta shtyjë seancën plenare me një javë. Ai nënvizon se kjo masë u mor “për të mos dhënë asnjë shkas për provokim”.
Kryetari i Kuvendit bën thirrje për arsye dhe paqe, duke theksuar se Shqipëria është një demokraci ku qytetarët, partitë politike dhe organizatat kanë orientime dhe interesa të ndryshme, por mbi to qëndron interesi i përbashkët kombëtar.
Ai i dedikon një pjesë të rëndësishme të deklaratës studentëve, nxënësve dhe të rinjve, duke theksuar se ata kanë të drejtë të dëgjohen dhe të jenë pjesë e tryezave të përbashkëta, si Tryeza e Paktit për Universitetin.
Peleshi shpreh shqetësimin se ngjarjet e dhunës, djegieve dhe grabitjeve “qëllimisht po u vishen” studentëve, duke e cilësuar këtë si dëm të madh për vendin.
“Studentët tanë do të jenë shqiptarët e parë që do të dalin në jetë si europianë, pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Europian. Prandaj ngjarjet e fundit të dhunës… janë një dëm i madh për të gjithë ne,” thuhet në deklaratë.
Peleshi thekson se procesi i integrimit evropian nuk është i garantuar dhe mund të pengohet nga forca të jashtme, por kurrsesi nuk duhet të prishet nga vetë shqiptarët. Si kryetar i Kuvendit, qytetar dhe ish-student i Dhjetorit 1990, ai bën thirrje për përmbajtje dhe reflektim.
Ai kërkon që shoqëria të reagojë njëzëri për t’i mbajtur larg dhunës të miturit dhe nxënësit e gjimnazeve, duke theksuar se ata nuk duhet të ushqehen me urrejtje apo të formohen nga dhuna e rrugës.
“Këtu duhet të jemi të gjithë bashkë, pa dallime politike: demokratë, socialistë apo të paangazhuar. Fëmijët janë interesi më i lartë i një vendi. Ashtu siç edukohen sot, ashtu do të jetë Shqipëria nesër,” deklaron Peleshi.
Deklarata e plotë:
Çmoj si detyrim shtetëror dhe kombëtar të ndaj me opinionin publik një sqarim për ditën e sotme, ditë seance plenare për Kuvendin e Shqipërisë, si dhe një qëndrim për situatën që po kalon vendi.
Me përgjegjësinë për të garantuar një seancë të qetë, ku çdo deputet të ketë hapësirën kushtetuese dhe ligjore për të ushtruar detyrën e tij shtetërore, përballë një situate të paprecedentë dhune ndaj institucioneve të shtetit, pronës publike dhe pasurisë private të qytetarëve; në dritën e të dhënave shqetësuese nga institucionet ligjzbatuese për skenarë të rrezikshëm që po cenojnë rëndë rendin, sigurinë dhe qetësinë publike në vendin tonë dhe për të mos dhënë asnjë shkas për provokim, vendosa ta shtyj me një javë seancën plenare të planifikuar për sot.
Sot është dita kur çdo shtetar, çdo parti politike, çdo organizatë jofitimprurëse, përfaqësuesit e elitës akademike dhe të biznesit, dhe çdo qytetar i denjë i këtij vendi duhet t’i thërrasë arsyes dhe instinktit tonë kombëtar për paqe.
Jetojmë në demokraci. Kemi orientime politike të ndryshme. Kemi interesa të ndryshme. Grindemi, zemërohemi, protestojmë. Por mbi çdo ndryshim qëndron një interes i përbashkët kombëtar, një tokë e përbashkët: Shqipëria jonë.
Studentët, nxënësit dhe fëmijët tanë do ta trashëgojnë këtë vend, e bashkë me të edhe përgjegjësinë për ta bërë më të mirë.
Ata kanë të drejtë të kërkojnë prej nesh më shumë dhe më mirë.
Kanë të drejtë të dëgjohen më shumë.
Kanë të drejtë të ulen më shpesh në tryezat e përbashkëta që i fituan vetë duke ngritur zërin, si Tryeza e Paktit për Universitetin.
Studentët tanë do të jenë shqiptarët e parë që do të dalin në jetë si europianë, pjesë e familjes së madhe të Bashkimit Europian.
Prandaj ngjarjet e fundit të dhunës, djegieve dhe grabitjeve, që qëllimisht po u vishen atyre, janë një dëm i madh për të gjithë ne.
Shqipëria ka pritur shumë.
Shqipëria ka punuar shumë.
Shqipëria e meriton të hyjë në BE si e barabartë.
Asgjë nuk është e garantuar, sepse ky proces nuk është vetëm në duart tona dhe jo të gjithë janë miq e dashamirës. Kjo vlen aq më tepër në një kohë gjeopolitike plot tensione dhe lojëra influence, veçanërisht në rajonin tonë të trazuar të Ballkanit Perëndimor.
Ky proces mund të pengohet nga forca malinje, por kurrsesi nuk duhet të pengohet, as të prishet, nga vetë ne, shqiptarët modernë të shekullit XXI.
Ndaj, si Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, si qytetar dhe si student i Dhjetorit ‘90, bëj thirrje për përmbajtje dhe reflektim.
Shoqëria jonë duhet ta mbajë frymën dhe të reagojë njëzëri për t’i mbajtur larg dhunës të miturit dhe nxënësit e gjimnazeve.
Ata nuk duhet të ushqehen me urrejtje. Ata nuk duhet të formohen nga dhuna e rrugës. Ata nuk duhet të lihen në duart e forcave të errëta, me qëllime aspak shqiptare.
Këtu duhet të jemi të gjithë bashkë, pa dallime politike: demokratë, socialistë apo të paangazhuar. Fëmijët janë interesi më i lartë i një vendi. Ashtu siç edukohen sot, ashtu do të jetë Shqipëria nesër.
Edhe një herë, t’i thërrasim arsyes. Të tregojmë se fatin e vendit tonë e mbajmë në duart tona, përkrah aleatëve tanë strategjikë, me idealin e shqiptarizmës së Rilindasve në zemër.
Të ulemi. Të flasim. Të diskutojmë dhe të debatojmë për të ardhmen, pa harruar kurrë se, mbi të gjitha, jemi të gjithë shqiptarë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




