Protestat, Rama: Jam përpjekur për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës që kërkon gjak. Të maskuarit s’janë studentë, të paguar nga duar të llojllojshme
Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestat e dhunshme që kanë përfshirë Tiranën prej pesë ditësh, duke deklaruar se është përpjekur të shmangë përshkallëzimin e situatës dhe të ruajë vetëpërmbajtjen. Ai akuzoi protestuesit e maskuar se nuk kanë lidhje me studentët dhe se janë të paguar nga “duar të llojllojshme”.
Në reagimin e tij, Rama theksoi se, pavarësisht dëmeve materiale të shkaktuara gjatë protestave, prioritet duhet të mbetet shmangia e viktimave dhe e përplasjeve me pasoja të rënda.
Rama rikujtoi edhe ngjarjet e 21 janarit, duke krahasuar situatën e atëhershme me zhvillimet e fundit në bulevardin e Tiranës. Ai nënvizoi se gjatë protestave aktuale janë përdorur gurë, vida dhe sende të tjera kundër efektivëve të policisë, duke i cilësuar këto veprime si rrezik serioz për jetën.
“Ja ku jam, nuk kam ikur. Vendosa të jem këtu sot, të shihni në sy dhe të përpiqem të them gjërat e mia, pasi për disa ditëm, qysh se kjo flamë ka nisur, jam përpjekur të mos përfshihem dhe të ndjek me shumë durim një përpjekje aspak të lehtë për të mos rënë në kurthin e ngritur të dhunës që kërkon gjak. Unë e di historinë e këtij bulevardi, e njoh mirë, i kam ende të freskëta në kujtesë ato që ndodhën në 21 janar ku pati disa zjarre sporadike tek-tuk në këtë perimetër, jo një kazan, po ku nuk u prek në asgjë, asnjë institucion, ku nuk u hodh asnjë molotov, ku nuk u dëmtua dhe nuk u dogj askush nga forcat e rendit dhe kur u vranë me plumba 4 protestues dhe u plagosën dhjetëra të tjerë, që ndryshe nga sot nuk shkuan dot as në spital se i priste përsëri druri dhe u mjekuan në shtëpi. Përtej faktit që ata që qëllojnë me gurë e qëllojnë me zara hekuri e vida për t’i nxjerrë sytë policisë, janë kriminelë, përsëri unë e kam mirë parasysh që ata janë fëmijë të verbër të Shqipërisë dhe jeta e tyre vlen më shumë se çdo gjë tjetër në fund të ditës. Kështu që vetëpërmbajtja është ‘A’ dhe ‘Zh’ e kësaj historie”, tha Rama.
Kreu i qeverisë pranoi se dëmet materiale nuk janë të vogla, por argumentoi se ato mund të riparohen shpejt. Sipas tij, shmangia e përshkallëzimit të dhunës duhet të jetë më e rëndësishme se dëmet e shkaktuara ndaj institucioneve dhe hapësirave publike.
Rama iu referua një grupi prej 200 deri në 300 personash të maskuar, të cilët i përshkroi si të shkëputur nga studentët dhe të ardhmen e vendit, duke pretenduar se financohen nga burime të ndryshme.
“Ndërkohë që patjetër që dëmet nuk janë të vogla, por ndreqen dhe ndreqen shpejt. Prandaj unë kam qenë pak i përfshirë dhe fushën e kanë pasur të lirë e ata që e fillojnë dhe mbarojnë ditën duke nxjerr llum. Nuk dëgjon askënd që ta dënojë dhunën qartësisht. Ky (tregon një gur) është një nga mijëra gurët e shkulur të trotuareve për t’u hedhur mbi policinë. Është praktikisht një armë që mund të bëhet edhe deri vdekjeprurëse. Imazhet që tregojnë televizionet kur shfaqin ato të ashtuquajturit grupin e zjarrit, atë 200-300 e maskuar, që nuk ka asnjë lidhje me studentët dhe as me të nesërmen e Shqipërisë, por që është aty e paguar nga duar të llojllojshme, nuk i shohin këto”, theksoi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




