Protesta e opozitës, Koçiu: Policia e Shtetit u sulmua me molotovë dhe lëndë piroteknike, u lënduan 11 efektivë
Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu në fjalën e mbajtur në Kuvend u ndal te protesta e demokratëve më 24 janar dhe roli i Policisë së Shtetit.
Koçiu hodhi poshtë akuzat e opozitës ndaj forcave të rendit, duke theksuar se Policia e Shtetit ka vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe standardet profesionale. Sipas saj, punonjësit e policisë janë përballur me akte dhune gjatë protestës.
“Protesta që u zhvillua të shtunën dhe rolin e Policisë së Shtetit. Përbaltët punonjësit e Policisë së Shtetit dhe sigurisht si drejtuese e ministrisë kam detyrim moral dhe politik për të garantuar qytetarët se policia e kreu detyrën më së miri dhe me përpikëri, Policia e Shtetit nuk ushtori dhunë ndaj protestuesve, ajo që ndodhi ishte që policia u përball me dhunë. Gjatë tubimit të thirrur nga opozita punonjësit e Policisë së Shtetit dhe për këtë jemi dëshmitarë të gjithë, u sulmuan me molotovë, sende të forta dhe lëndë piroteknike në zemër të kryeqytetit, para institucioneve publike të rëndësishme”, deklaroi ministrja.
Ajo bëri të ditur se si pasojë e këtyre akteve janë lënduar 11 punonjës policie, të cilët janë trajtuar pranë strukturave spitalore.
“Si pasojë e këtyre akteve pati dhe lëndim, 11 punonjës policie u lënduan dhe trajtuan pranë strukturave spitalore”, shtoi ministrja.
Koçiu theksoi se policia ka bërë thirrje të vazhdueshme për ndalimin e dhunës dhe ruajtjen e karakterit paqësor të protestës, ndërsa ndërhyrja për shpërndarjen e turmës është ndërmarrë vetëm pasi këto thirrje janë shpërfillur dhe rreziku për jetën e efektivëve është bërë evident.
“Policia e Shtetit ka vepruar në përmbajte të plotë të rregullave, ligjit, profesionalizmit., Ka bërë thirrje të vazhdueshme për ndalimin e dhunës dhe ruajtjen e karakterit paqësor të protestës dhe vetëm pasi këto thirrje u shpërfillën dhe rreziku për jetën e punonjësve të policisë u bë evident, u ndërmorën masa për shpërndarjen e turmës sipas parashikimeve ligjore dhe procedurave standarde operacionale.
Akuzat se policia ka përdorur forcë të tepruar apo mjete përtej nevojës, janë të pavërteta”, përfundoi ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



