Protesta e studentëve, pedagogët dhe bluzat e bardha tubim para Kryeministrisë
Protesta e studentëve ka hyrë në ditën e 11-të, ndërsa mbështetja për ta është zgjeruar me pjesëmarrjen e pedagogëve dhe Sindikata e Punonjësve të Shëndetësisë. Qytetarët janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, ku vijojnë prej dy orësh tubimin kundër qeverisë dhe kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Për të katërtën ditë radhazi, studentët kanë refuzuar thirrjet për dialog me kryeministrin Edi Rama, duke këmbëngulur se protesta do të vijojë deri në reflektimin e qeverisë dhe plotësimin e kërkesës së tyre për dorëheqjen e kreut të ekzekutivit. Edhe gjatë tubimit të sotëm, situata para Kryeministrisë paraqitet e qetë. Në protestë janë bashkuar edhe mjekë, farmacistë, stomatologë, infermierë dhe punonjës të tjerë të shëndetësisë nga Shqipëria dhe diaspora, të cilët kanë shprehur publikisht mbështetjen e tyre për studentët.
Përmes një deklarate, ata theksojnë se solidarizimi me të rinjtë lidhet me mbrojtjen e të drejtës për protestë paqësore, dinjitetin dhe të ardhmen e vendit.
“Ne, nënshkruesit e kësaj deklarate, mjekë, farmacistë, stomatologë, infermierë dhe punonjës të tjerë të shëndetësisë në Shqipëri dhe diasporë, i bashkohemi protestës së studentëve në mbrojtje të jetës, dinjitetit dhe të ardhmes së Shqipërisë.
S’mund të qëndrojmë të heshtur përballë dhunës ndaj të rinjve dhe cenimit të së drejtës së tyre për protestë paqësore. Arsimimi cilësor, mundësitë e ndershme dhe e drejta për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre janë çështje që na përkasin të gjithëve”, thuhet në deklaratën e personelit shëndetësor.
Përfaqësuesit e këtij grupi i kanë bërë thirrje qeverisë të ndërmarrë hapa konkretë për zgjidhjen e situatës, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie tranzitore me përbërje teknike.
“Kërkojmë veprime konkrete të menjëhershme, dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama si akt të marrjes së përgjegjësisë politike për krizën dhe përshkallëzimin e saj, si dhe krijimin e një qeverie tranzitore, me përbërje teknike”, thuhet më tej në deklaratë.
Gazetarja Jonida Omeri ka bërë me dije se pas dy orësh tubim para Kryeministrisë, situata paraqitet më e qetë, ndërsa shton se edhe pjesëmarrja është disi më e ulët.
“Për më shumë se dy orë vijon rezistenca e qytetarëve, të cilët i kanë thënë jo dialogut me kryeministrin Edi Rama. Vihet re një qetësi, pjesëmarrje disi më e ulët dhe një shpërndarje e qytetarëve të mbledhur në tubim. Protesta e ditës së sotme nisi rreth orës 10:30, ku edhe sot, për të katërtën ditë radhazi, pedagogët iu bashkuan këtij tubimi.
Gjithashtu, u bë një deklaratë nga Sindikata e Punonjësve të Shëndetësisë, përfaqësuesit e së cilës shprehën hapur mbështetjen për këtë tubim, duke deklaruar se protesta do të vijojë dhe nuk do të ndalet. Sipas tyre, e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund protestave është që kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen”, tha Omeri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




