Protesta në Tiranë, Ibrahimaj reagon pas dëmtimit të filialeve të Postës Shqiptare: Shërbimet nuk ndërpriten, pensionistët t’u drejtohen zyrave të tjera

Politikë | 30 minuta më parë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka reaguar pas dëmtimit të disa filialeve të Postës Shqiptare në Tiranë gjatë protestave të një dite më parë.

Në një deklaratë pranë një prej zyrave të dëmtuara, Ibrahimaj garantoi qytetarët se shërbimet e përditshme do të vijojnë pa ndërprerje, pavarësisht dëmeve të shkaktuara ndaj pronës publike dhe private.

“Janë disa filiale të dëmtuara këtu. Në këto filiale, qytetarët marrin përditë shërbime: pensionistët marrin pensionet e tyre dhe të ardhurat që u duhen për të siguruar jetesën”, u shpreh ajo.

Ajo theksoi se pensionistët dhe qytetarët që marrin shërbime në filialet e dëmtuara mund t’u drejtohen zyrave të tjera të Postës Shqiptare për të kryer procedurat e nevojshme.

“Unë dua t’i garantoj të gjithë qytetarët që, pavarësisht goditjeve ndaj pronës publike dhe private, ne jemi të angazhuar që ato të marrin shërbimet e tyre të përditshme. Pensionistët, ndonëse mbrapa në kohën që po kalojmë, mund të drejtohen në të gjithë filialet e tjera dhe të marrin pensionin e tyre, sepse ne jemi këtu për të garantuar që rendi dhe siguria dhe shërbimi ndaj qytetarëve do të vijojë i pandërprerë, pavarësisht atyre që ndodhin në këtë qytet”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja nënvizoi se vijimësia e shërbimeve dhe siguria e qytetarëve mbeten prioritet, ndërsa institucionet janë të angazhuara për të garantuar ofrimin e shërbimeve të përditshme, pavarësisht dëmeve të shkaktuara gjatë protestave.

Gjatë protesta të djeshme në Tiranë, protestuesit dëmtuan dhe thyen xhamat e zyrave të filialeve të postës Shqiptare.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme