Protesta për gjuhën shqipe, Shaqiri: Kambanë alarmi, po cenohen të drejtat kushtetuese

Maqedonia e Veriut | 6 muaj më parë

Kambanë alarmi e konsideroi analisti i politikës në Tetovë, Enis Shaqiri, protestën e zhvilluar në Shkup nga mijëra studentët shqiptarë kundër moslejimit të zhvillimit të provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Në një lidhje “Skype” me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, Shaqiri u shpreh se studentët dhe qytetarët po kërkojnë një të drejtë që ju takon me Kushtetutë dhe ligj.

“Protesta e djeshme ishte këmbanë alarmi e asaj që po ndodh në Maqedoninë e Veriut. Kemi tendenca të degradimit të gjuhës shqipe si zyrtare nga qeveria e cila që nga fushata e zgjedhjeve të 2024-ës po iu qëndron besnik një pjesë të premtimeve elektorale kundër të arriturave shqiptare dhe pse kamuflohet në diskurs.

Veprimet tregojnë të kundërtën. Fillimisht u shpërbë ligji i balancuesit që mendohej se mbante llogari për përkatësitë jo maqedonase në administratën publike dhe sot e kësaj dite nuk ka ende një ligj të ri. Riaktualizimi i shfuqizimit të ligjit të gjuhëve nga Gjykata Kushtetuese që fillimisht është kundërshtuar nga partia në pushtet dhe hasi në rezistencë nga opozita, tani siç duket po përballet me studentët dhe qytetarët të cilët kërkojnë një të drejtë që ju takon me Kushtetutë dhe ligj, por që Ministria e Drejtësisë vazhdon të mos e honepsë”, deklaroi ai.

Sipas Shaqirit, veprimet konkrete të institucioneve tregojnë të kundërtën e deklarimeve publike. Ai përmendi, ndër të tjera, shfuqizimin e ligjit të balancuesit, që sipas tij garantonte përfaqësimin e komuniteteve jomaqedonase në administratën publike, si dhe debatet e vazhdueshme rreth ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Analisti e konsideroi problematik edhe faktin që, ndonëse gjuha shqipe përdoret në institucione shtetërore, ajo nuk lejohet në një proces kyç si provimi i jurisprudencës.

Ai shtoi se formulimi aktual i ligjit për gjuhët, ku shqipja përkufizohet si “gjuha që flitet nga mbi 20% e qytetarëve”, krijon hapësirë për interpretime dhe, sipas tij, përbën një formë të nënvlerësimit institucional.

Në përfundim, Shaqiri paralajmëroi se zhvillimet e fundit mund të krijojnë perceptimin e një tendence nacionaliste për zhvlerësimin e gjuhës shqipe, duke theksuar se reagimi i studentëve dhe qytetarëve është një sinjal i qartë kundër këtyre politikave.

“Partia e vetme që e rikthen këtë është VMRO-DPMNE. Ligji i gjuhëve në thelb ka vetëm një gradacion nga gjuha maqedonase ku shqipja përjashtohet nga përdorimi ndërkombëtar ndërsa në pjesët e tjera ligjërisht duhet të trajtohet si e barabartë. Një problem thelbësor mbetet fakti që ajo nuk emërtohet tamam si gjuha shqipe, por si gjuha që flitet nga më shumë se 20% e qytetarëve dhe më pas hapen kllapa dhe futet gjuha shqipe.

Këtu kemi lojëra fjalësh dhe teknikalitete interpretimi nga pikëpamja gjuhësore.

Është absudrde që gjuha shqipe të përdoret në institucionet më të larta shtetërore ndërkohë që degradohet në një proces kyç si provimi I jurisprudencës në arsyetimin se përkthimi ngadalëson proceset gjuhësore. Një tjetër absurditet: nëse ekzistojnë universitete në gjuhën shqipe në fushën juridike, atëherë duhet të ekzistojë dhe akti final, provimi i jurisprudencës në të njëjtën gjuhë, si kusht themelor për t’u bërë gjykatës, prokuror, avokat”, u shpreh Shaqiri, ndërsa shton se kjo krijon përshtypjen e një tendence nacionaliste për të krijuar një zhvlerësim të pashprehur, por real të gjuhës shqipe.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme