Protesta/ Rama nga godina e djegur e Kolegjit të Europës: Duart e atyre që duan të ulin Shqipërinë, për studentët jemi gjithmonë gati për dialog

Politikë | 40 minuta më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga godina e dëmtuar nga zjarri e Kolegjit të Europës në Tiranë, pas akteve të dhunës gjatë protestës. Përmes një mesazhi nga ambientet e godinës, Rama dënoi dëmtimin e institucionit, duke theksuar se studentët përfaqësojnë të ardhmen dhe se dhuna nuk mund të përfaqësojë aspiratat e tyre.

“Deri dje kjo ishte zyra e Kolegjit të Europës, shkollës së Europës së bashkuar, që e çelën në Shqipëri së bashku udhëheqësit europianë. Sot kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe s’mund të jenë kurrë duart e studentëve”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se studentët janë gjithmonë të mirëpritur dhe se qeveria mbetet e gatshme për dialog, diskutim dhe gjetjen e zgjidhjeve për çështjet që kërkojnë vëmendje.

“Studentët janë e ardhmja, që shohin larg dhe duan të shkojnë më larg dhe më shpejt. Studentët janë gjithnjë të mirëpritur dhe për ta jemi gjithnjë gati të ulemi, të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje”, deklaroi Rama.

Më tej, kreu i qeverisë akuzoi opozitën se, sipas tij, po përpiqet të pengojë rrugëtimin europian të Shqipërisë përmes akteve të dhunës. Ai shtoi se, sipas tij, opozita synon ta kthejë vendin në një gjendje të mëparshme, nga e cila Shqipëria është larguar gjatë viteve të fundit.

“Janë duart e atyre që përpiqen të ulin poshtë Shqipërinë, janë duart e një opozite e cila me maska të verbërish përpara, me zjarre e hekur, kërkon ta rikthejë Shqipërinë aty ku Shqipëria nuk do të rikthehet kurrë. Kërkon ta rikthejë Shqipërinë në humnerën nga ku ne të gjithë së bashku e nxorëm dhe prej ku po e ngjisim drejt majës historike, drejt ëndrrës së të gjithë shqiptarëve në breza, BE-së”, u shpreh Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme